Lajme
Kuvendi miratoi Rebalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2026

Kuvendi miratoi sot Rebalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2026, me të cilin sigurohen më shumë mjete për zhvillim dhe investime kapitale, mbështetje për bujqësinë, mbrojtjen sociale, komunat dhe realizimin e prioriteteve zhvillimore të Qeverisë, si dhe për përmbushjen pa pengesa të detyrimeve ligjore.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në arsyetimin e propozimit theksoi se rebalanci paraqet një harmonizim të përgjegjshëm dhe në kohë të projeksioneve buxhetore me rrethanat e reja ekonomike, si dhe siguron mjete për përmbushjen e detyrimeve ligjore që kanë lindur ndërkohë dhe për realizimin e prioriteteve zhvillimore të Qeverisë, në përputhje me shkallën e zbatimit të tyre, raportoi 4news.mk.
Me rebalancin e plotësuar, të hyrat e përgjithshme rishikohen në 379,5 miliardë denarë, që paraqet një rritje prej 1,2 për qind krahasuar me Buxhetin fillestar. Shpenzimet e përgjithshme rishikohen në 425,8 miliardë denarë, ose 2,8 për qind më shumë se projeksionet fillestare. Deficiti buxhetor është projektuar në 46,3 miliardë denarë, ose 4,1 për qind të BPV-së.
“Me këto ndryshime sigurojmë mjete për pagesën e pagave të rritura në sektorët ku është paraparë rritje, mbështetje shtesë për bujqësinë, më shumë fonde për mbrojtjen sociale dhe për komunat. Ajo që e veçon veçanërisht këtë rebalanc është sigurimi i mjeteve shtesë për përshpejtimin e ciklit investues dhe realizimin e projekteve infrastrukturore”, deklaroi ministrja.
Ajo shtoi se ndryshimet janë të orientuara drejt vazhdimit të politikave për stabilitet ekonomik, zhvillim dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, duke theksuar se me miratimin e sotëm të rebalancit vazhdon cikli investues, ndërtimi i infrastrukturës, mbështetja për zhvillimin lokal dhe sigurohet stabilitet dhe parashikueshmëri për qytetarët dhe ekonominë.















