Connect with us

Maqedoni

KE e pakënaqur nga Maqedonia në luftën kundër korrupsionit: Qytetarët tuaj besojnë se korrupsioni është shumë i përhapur

Publikuar

Korrupsioni vazhdon të mbetet një nga plagët më të mëdha të Maqedonisë së Veriut, ndërsa lufta kundër tij po stagnon, vlerëson Komisioni Evropian në raportin e tij më të ri. Brukseli konstaton se shumica dërrmuese e qytetarëve dhe bizneseve e shohin korrupsionin si fenomen të përhapur. Zbatimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit ka qenë i dobët, me më pak se një të katërtën e aktiviteteve të planifikuara të realizuara, ndërsa ndryshimet në Kodin Penal kanë ngushtuar ndjekjen e veprave për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kanë ulur dënimet dhe kanë shkurtuar afatet për hetimin e rasteve komplekse. Raporti evidenton gjithashtu mungesë të vullnetit institucional, burime të pamjaftueshme, koordinim të dobët dhe llogaridhënie të pamjaftueshme, duke theksuar se këto mangësi vazhdojnë ta minojnë luftën kundër korrupsionit në vend, raporton Portalb.mk.

Raporti thekson se perceptimi mes ekspertëve, qytetarëve dhe bizneseve është se niveli i korrupsionit në sektorin publik mbetet i lartë. Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2025 të Transparency International, Maqedonia e Veriut ka shënuar 40 nga 100 pikë dhe renditet në vendin e 84-të në botë. Ky perceptim është përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit.

Sipas Eurobarometrit Special 2026 për Korrupsionin, 92% e të anketuarve konsiderojnë se korrupsioni është i përhapur në vendin e tyre (mesatarja e BE-së është 71%), ndërsa 35% ndihen personalisht të prekur nga korrupsioni në jetën e përditshme (mesatarja e BE-së është 30%), thuhet në Raportin e Sundimit të Ligjit i vitit 2026, i cili shqyrton zhvillimet në të gjitha Shtetet Anëtare dhe për katër vendet në zgjerim, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Sa i përket bizneseve, 91% e kompanive vlerësojnë se korrupsioni është i përhapur (mesatarja e BE-së është 65%), ndërsa 60% konsiderojnë se korrupsioni

Po ashtu, 32% e të anketuarve mendojnë se ka mjaftueshëm ndjekje penale të suksesshme për t’i dekurajuar njerëzit nga praktikat korruptive (mesatarja e BE-së është 38%), ndërsa vetëm 22% e kompanive besojnë se personat dhe bizneset e kapura duke korruptuar një zyrtar të lartë ndëshkohen në mënyrë të duhur (mesatarja e BE-së është 31%).

Parashihet miratimi i një Strategjie të re Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, ndërsa zbatimi i Strategjisë 2021–2025 ka mbetur përgjithësisht i ulët. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), në raportin e tij vjetor për vitin 2026 mbi Strategjinë Kombëtare, thekson se nga 137 aktivitetet e planifikuara për vitin 2025, vetëm 31 aktivitete (23%) janë zbatuar plotësisht, 46 aktivitete (33%) janë në proces zbatimi, ndërsa 60 aktivitete (44%) nuk kanë filluar të zbatohen ende.

“Zbatimi i strategjisë ka vazhduar të jetë i ngadalshëm, duke treguar mungesë të përgjithshme të përkushtimit dhe përgjegjësisë institucionale. KSHPK identifikon si arsye kryesore burimet e kufizuara njerëzore dhe financiare, mungesën e llogaridhënies dhe koordinimin e dobët ndërinstitucional. Komisioni ka përgatitur një raport për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për periudhën 2021–2025 dhe ia ka dorëzuar Kuvendit”, thuhet në raport.

Strategjia e re Kundër Korrupsionit 2026–2030, e cila pritet të miratohet nga Kuvendi, është hartuar me pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile, duke dëshmuar transparencë dhe gjithëpërfshirje në proces. Strategjia e re identifikon dy fusha prioritare horizontale, prokurimin publik dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve nga perspektiva antikorrupsion, dhe ngushton fushëveprimin nga 13 në 5 sektorë kyç: drejtësia, shëndetësia, transporti dhe infrastruktura, planifikimi urban dhe hapësinor, si dhe mjedisi, energjia dhe burimet natyrore.

Kjo qasje e re do të mundësonte përqendrimin e burimeve në sektorët ku rreziku i korrupsionit vlerësohet më i lartë, në vend që ato të shpërndahen në shumë fusha. Përmirësime të tjera, krahasuar me strategjinë e mëparshme, përfshijnë përcaktimin e ndikimit buxhetor për zbatimin e secilit aktivitet dhe definimin e qartë të përgjegjësive të institucioneve shtetërore për zbatimin e masave të ndryshme.

Janë miratuar edhe ndryshime në Kodin Penal, të cilat paraqesin disa mangësi krahasuar me kornizën e mëparshme ligjore, ndërkohë që është në përgatitje një reformë gjithëpërfshirëse. Më 28 janar 2026, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal. Si rezultat, Gjykata Kushtetuese ndërpreu procedurën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara në shtator të vitit 2023.

Ndryshimet e miratuara synohen të jenë një zgjidhje e përkohshme, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë përgatit paralelisht një Kod të ri Penal dhe një Ligj të ri për Procedurën Penale.

Aspektet kyçe të ndryshimeve të reja lidhen me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe bashkimit kriminal, me qëllim adresimin e efekteve negative të ndryshimeve të shtatorit 2023.

“Megjithatë, palët e interesuara theksojnë se, krahasuar me kornizën e mëparshme ligjore, ndryshimet kufizojnë zbatimin e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare vetëm në disa situata që ndodhin shumë rrallë në praktikë, duke sjellë dekriminalizimin e situatave të tjera dhe duke krijuar pasiguri juridike”, thuhet në raport.

Për më tepër, krahasuar me versionin e Kodit Penal para vitit 2023, dënimet maksimale për format më të rënda të kësaj vepre janë ulur, gjë që shkurton afatet e parashkrimit dhe lë më pak kohë për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve komplekse të korrupsionit.

Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 290 vepra penale me elemente korrupsioni dhe 678 persona të kallëzuar, me dëm të shkaktuar që vlerësohet në mbi 23.67 miliardë denarë, treguan të dhënat e raportit vjetor për vitin 2025 të MPB-së. Raporti theksonte goditjen e katër grupeve të organizuara kriminale me veprimtari korruptive, ku janë përfshirë 120 persona fizikë dhe 18 persona juridikë. Gjatë vitit janë realizuar gjithsej 180 raste hetimore në fushën e korrupsionit, ndërsa numri i veprave penale të zbuluara ka shënuar rritje prej 40.8% krahasuar me vitin paraprak. Rritje është regjistruar edhe në numrin e përgjithshëm të rasteve të trajtuara dhe të personave të përfshirë në veprimtari kriminale.

Sipas Raportit në hije për Kapitullin 23 të Institutit për Politika Evropiane (EPI), ndryshimet e mëparshme në Kodin Penal kanë pasur ndikim negativ në trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë. Institucionet kryesore vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh dhe kapacitetesh, ndërsa disa zhvillime institucionale dhe strategjike synojnë përmirësimin e sistemit antikorrupsion.

Edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.

NA NDIQ NË FACEBOOK