Lajme
Gashi e hoqi nga rendi i ditës ligjin që shkaktoi përplasje në Kuvend

Kryeqytet Evropian i Kulturës 2028 nuk do të jetë në rendin e ditës së seancës së 119-të të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e cila mbahet sot. Ky është kompromisi i arritur në koordinimin e jashtëzakonshëm mes kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashit, dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare, pasi më herët opozita, përmes vërejtjeve procedurale, nuk lejoi përcaktimin e rendit të ditës, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve është dakorduar që ligji të vendoset në rendin e ditës të një seancë të re pas pushimit veror të deputetëve.
Paraprakisht, deputetët e opozitës nga BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Lidhja Shqiptare reaguan ashpër, duke e akuzuar Gashin se nuk e respekton Rregulloren e Kuvendit dhe se materialet nuk u janë dorëzuar në gjuhën shqipe.
Ndërsa më pas Gashi i thirri në koordinim të jashtëzakonshëm koordinatorët e grupeve parlamentare.
Propozues i ligjit është grupi parlamentar i VMRO–DPMNE-së.
Për këtë ligj, Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit ka kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut që menjëherë të ndalojë miratimin e Projektligjit për zbatimin e projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, me procedurë të shkurtuar, pasi me projektligjin propozohet që, për zbatimin e këtij projekti, Qyteti i Shkupit të themelojë Fondacionin “Kryeqyteti Evropian i Kulturës – Shkup 2028” dhe që për prokurimet e këtij Fondacioni të mos zbatohet Ligji për Prokurimet Publike.
“Platforma e njeh rëndësinë e jashtëzakonshme kulturore dhe shoqërore të projektit dhe nevojën që ai të realizohet në kohë dhe me sukses. Megjithatë, rëndësia dhe përmasat e projektit, si dhe fondet e konsiderueshme publike që do të përdoren për zbatimin e tij, kërkojnë një nivel më të lartë, e jo më të ulët, të transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes nga korrupsioni”, thonë nga platforma.
Për këtë çështje sot ka reaguar edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ata thonë se sigurimi i integritetit, ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies gjatë shpenzimit të mjeteve publike përbën parakusht themelor për mbrojtjen e interesit publik dhe parandalimin e rreziqeve nga korrupsioni.
“Çdo zgjidhje ligjore me të cilën parashihet përjashtimi ose kufizimi i zbatimit të ligjeve sistemore, veçanërisht i Ligjit për Prokurimet Publike, duhet të arsyetohet qartë, në mënyrë të detajuar dhe bindëse nga aspekti i interesit publik, domosdoshmërisë së një përjashtimi të tillë, proporcionalitetit të tij dhe vendosjes së mekanizmave efikasë për parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të mjeteve publike”, thanë nga KSHPK.
Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut më 20 shtator 2023 është shpallur Kryeqytet evropian i kulturës për vitin 2028. Shkupi është një nga tre kryeqytetet evropiane të kulturës. Përveç Shkupit, kryeqyteti i kulturës evropiane tashmë është shpallur edhe qyteti çek Çeske Bugjejovice, ndërsa kryeqyteti i tretë do të zgjidhet më 13 dhjetor në garë mes qyteteve franceze Bourges, Clermont-Ferrand, Montpellier dhe Ruen.




















