Connect with us

Lajme

Garat Ndërkombëtare Kuranore bashkojnë hafëzë dhe lexues të Kur’anit në Shkup

Publikuar

Garat Ndërkombëtare Kuranore po vazhdojnë me sukses në Shkup, duke mbledhur hafëzë, lexues të Kur’anit Famëlartë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme, në një atmosferë të mbushur me përkushtim, respekt dhe dashuri ndaj Librit të Allahut, raporton Gjurme.info.

Edhe dita e dytë e garave u karakterizua nga paraqitje të nivelit të lartë të garuesve, të cilët dëshmuan përkushtimin dhe përgatitjen e tyre në leximin dhe memorizimin e Kur’anit Famëlartë.

Manifestimi u ndoq nga përfaqësues të Bashkësisë Fetare Islame, mysafirë të ftuar dhe besimtarë të shumtë.

Ky aktivitet paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin e kulturës kuranore, forcimin e lidhjes së të rinjve me Kur’anin dhe nxitjen e vlerave shpirtërore e morale që buronin nga mësimet islame.

Bashkësia Fetare Islame shpreh mirënjohje për të gjithë organizatorët, jurinë, pjesëmarrësit dhe mysafirët që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e këtij manifestimi, duke uruar suksese për të gjithë garuesit dhe që këto gara të vazhdojnë të jenë një urë bashkimi, frymëzimi dhe përkushtimi ndaj Kur’anit Famëlartë.

Ndryshe, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, mori pjesë edhe në ditën e dytë të Garave Kuranore që po zhvillohen në Shkup, duke dëshmuar mbështetjen e tij të vazhdueshme për aktivitetet që promovojnë mësimin dhe leximin e Kur’anit Famëlartë.

Reisul Ulema shoqërohej nga drejtorë të Rijasetit, si dhe nga atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Sarajevë, Abdulatif bin Nasir El Husejn. Gjatë vizitës, ai ndoqi nga afër rrjedhën e garave dhe u takua me pjesëmarrësit, organizatorët dhe mysafirët e pranishëm.

Ai gjithashtu vlerësoi lart angazhimin e organizatorëve për realizimin e këtij aktiviteti, duke theksuar se organizime të këtilla forcojnë kulturën kuranore, nxisin konkurrencën pozitive në mësimin e Kur’anit dhe kontribuojnë në ruajtjen e identitetit fetar e moral të shoqërisë./gjurme.info/

NA NDIQ NË FACEBOOK