Lajme
Faton Pollozhani akuzon për presion ndaj administratës në Komunën e Strugës, i bën thirrje Mendi Qyrës ta ndalojë praktikën

Kryetari i Degës së BDI-së në Strugë, Faton Pollozhani, ka reaguar përmes një postimi publik, duke shprehur shqetësim për, siç thotë ai, presionin që po ushtrohet ndaj punonjësve të administratës në Komunën e Strugës.
Pollozhani e cilëson të papranueshme çdo formë frikësimi apo presioni ndaj administratës publike për shkak të bindjeve politike ose angazhimit qytetar të punonjësve jashtë orarit të punës.
Ai kërkon që të ndërpritet menjëherë çdo formë presioni ndaj administratës, duke theksuar se punonjësit duhet të jenë të lirë të ushtrojnë të drejtat e tyre pa frikë për vendin e punës.
Në reagimin e tij, Pollozhani i bën apel kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, që të ndalojë, sipas tij, këtë praktikë dhe të respektojë të drejtat e punonjësve dhe parimet demokratike.
Ai paralajmëron se, nëse situata nuk ndryshon, BDI do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e administratës dhe të drejtave të punonjësve, duke shtuar se “askush nuk është mbi ligjin”.
















