Lajme
Fatmir Sabriu largohet nga posti i sekretarit shtetëror: Krenar për reformat e realizuara në dy vitet e mandatit

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Sabriu, ka bërë të ditur se ka përfunduar zyrtarisht mandatin e tij dyvjeçar, duke e cilësuar këtë periudhë si një kapitull të mbushur me reforma dhe arritje në fushën e politikave sociale.
Në një postim publik, Sabriu u shpreh se e mbyll këtë detyrë “me kokën lart, me zemrën plot mirënjohje dhe me një ndjenjë krenarie”, duke theksuar se ndryshimet kërkojnë guxim, vizion dhe punë të palodhur.
Ai renditi një sërë reformash që, sipas tij, janë realizuar gjatë mandatit, mes tyre miratimin e Garancionit Evropian për Fëmijët, përgatitjen e analizës për shtesën universale për fëmijët, hartimin e draft-ligjit për intervenimin e hershëm te fëmijët, si dhe zgjerimin e rrjetit të çerdheve, përfshirë ato në Zhelinë, Çellopek, Hasanbeg, Siniçan dhe Gostivar.
Sabriu veçoi edhe avancimin e shërbimeve sociale, duke theksuar se numri i ofruesve të këtyre shërbimeve është rritur nga 54 në 97, ndërsa përmendi edhe rritjen lineare të pensioneve me 7.000 denarë, zhvillimin e politikave rinore, anëtarësimin në Asociacionin Evropian të Kartelës Rinore dhe programin CERV të Bashkimit Evropian, si dhe digjitalizimin e shërbimeve sociale.
Në mesazhin e tij, ai falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët, duke shprehur mirënjohje të veçantë për ministrin Fatmir Limani, për të cilin tha se i dha mundësinë të ishte pjesë aktive në hartimin e politikave të ministrisë.
Sabriu kërkoi falje nëse gjatë ushtrimit të detyrës janë bërë lëshime, duke theksuar se qëllimi i vetëm ka qenë shërbimi me integritet ndaj qytetarëve. Ai gjithashtu i uroi suksese udhëheqësisë së re të ministrisë, duke shprehur besimin se projektet e nisura do të vazhdojnë me sukses.
“Pozitat shkojnë e vijnë, por detyrimi ynë ndaj njerëzve mbetet i përhershëm. Kudo që të na çojë jeta, misioni ynë mbetet i njëjtë: të jemi në shërbim të qytetarëve dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur”, shkroi Sabriu.
















