Lajme
EDITORIAL: Fundi i një eksperimenti: Rikonstruimi vulos dështimin e Azir Aliut në Shëndetësi

EDITORIAL I REDAKSISË
Rikonstruimi i Qeverisë po shënon edhe fundin e mandatit të Azir Aliu në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, një periudhë që u karakterizua më shumë nga pritshmëri të larta sesa nga rezultate konkrete.
Në paraqitjen e tij të fundit publike, Aliu u përpoq ta vendosë veten në një narrativë vazhdimësie politike, duke deklaruar se “nuk planifikon të pensionohet” dhe se synon të “kontribuojë për shoqërinë”. Ai shtoi se pas 10 vitesh në politikë është “koha për të ndryshuar politika dhe politikbërjen në shtet”, duke theksuar se këtë e ka dëshmuar edhe me punën e tij në ministrinë aktuale dhe atë paraprake.
Por këto deklarata vijnë në një moment kur bilanci i mandatit të tij është ende i pambyllur në perceptimin publik dhe kur rezultatet e prekshme në sektorin e shëndetësisë mbeten të kufizuara. Në praktikë, ndryshimi i premtuar nuk u reflektua në funksionimin e sistemit shëndetësor, i cili vazhdoi të përballet me të njëjtat probleme strukturore.
Kur një ministër flet për “ndryshim të politikave”, por largohet pa lënë pas reforma të përmbyllura apo përmirësime të matshme në shërbime, atëherë deklaratat e tilla rrezikojnë të mbeten në nivel retorik. Në shëndetësi, ndryshimi nuk matet me vizione politike, por me spitale funksionale, me qasje më të shpejtë të pacientëve dhe me një sistem që nuk mbështetet në improvizim të përditshëm.
Kjo qasje ishte e pranishme që në fillim të mandatit të tij. Kur Azir Aliu mori drejtimin e ministrisë, pritshmëritë ishin të lidhura me digjitalizimin dhe reformimin e sistemit. Por një vit më vonë, këto premtime mbetën kryesisht në nivel deklarativ.
Premtimi për zgjidhjen e kaosit në Qendrën Klinike, përfshirë edhe çështjen e parkingut, nuk u materializua. As riorganizimi i spitaleve dhe as përmirësimi i qasjes së qytetarëve në shërbime nuk sollën ndryshim të dukshëm në terren. Ndërkohë, sistemi shëndetësor vazhdoi të funksionojë mbi të njëjtat baza të vjetra, me probleme të akumuluara prej vitesh.
Në këtë sfond, deklarata e fundit e Aliut se “ka ardhur koha për të ndryshuar politikbërjen” tingëllon si vazhdim i një narrative që nuk u përkthye në rezultate gjatë mandatit. Hendeku mes fjalëve dhe realitetit mbetet pika më e fortë e kritikës.
Në fund, çështja nuk është ambicia e tij për të vazhduar në politikë, por fakti se shëndetësia nuk u transformua në mënyrën që u premtua. Dhe në politikë, ndryshimi nuk matet me deklarata për të ardhmen, por me atë që mbetet pas një mandati në detyrë.
Në këtë proces për dështimin e Aliut, si Zyrtare.net edhe media tjera si Zhurnal.mk kanë raportuar me shumë artikuj, duke kryer detyrën e tyre. Roli i medias nuk është të rrëzojë ministra dhe as të emërojë të rinj, por të alarmojë kur institucionet nuk funksionojnë, të kërkojë llogari dhe të mbajë nën vëzhgim pushtetin. Kur kritikat mbështeten në fakte dhe në interesin publik, ato bëhen pjesë e mekanizmit demokratik të llogaridhënies.
Shëndetësia tani hyn në një fazë të re me Sasho Klekovskin. Por sfidat mbeten të njëjtat. Qytetarët nuk do ta gjykojnë ministrin e ri nga premtimet, por nga rezultatet. Dhe ky duhet të jetë standardi për çdo ministër: më pak propagandë, më shumë punë.
















