Religjion
Dashuria për dynjanë dhe dëmi i lakmisë

Një nga sëmundjet e zemrës është edhe dashuria për dunjanë, dhe kjo sëmundje është shumë e rëndë. Zemra (kalbi) është vendi i vështrimit të All-llahut, dhe hyrja e dashurive të tjera në të, përveç dashurisë për All-llahun, shkakton vdekjen e asaj zemre. Ushqimi i zemrës është njohja e të Madhërishmit dhe dashuria për Të. Shkaku i shkatërrimit të saj është kthimi nga dashuritë e tjera, përveç dashurisë për të Madhërishmin.
Dashuria për dunjanë është nëna e të gjitha mëkateve dhe veprave të këqija. Qëllimi i dërgimit të Shpalljeve dhe të pejgamberëve është që t’i thërrasin njerëzit në Ahiret, t’i largojnë nga dynjaja, të mos i lidhin zemrat e tyre me të, dhe t’u tregojnë se ai është i përkohshëm dhe vend sprove. Për jetën e kësaj dunjaje, i Madhërishmi në Kur’anin Fisnik thotë: “Jeta në këtë botë nuk është gjë tjetër veçse zbavitje dhe lojë, ndërsa bota tjetër është – jeta e vërtetë, sikur ta dinin!” (Ankebut, 64) Ka shumë ajete në Kur’an që i nxisin njerëzit t’i kthehen Ahiretit. Për këtë arsye janë dërguar edhe pejgamberët që të thërrasin dhe t’i nxisin njerëzit drejt Ahiretit.
Një herë, Pejgamberi, a.s., kaloi pranë një cjapi të ngordhur dhe pyeti: “O ashabë, a do të jepnit diçka për këtë cjap?” – dhe ashabët u përgjigjën se nuk do të jepnin asgjë. Atëherë Pejgamberi i All-llahut tha: “Kjo dunja nuk vlen tek All-llahu as sa ky cjap.”
Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Vërtet, dynjaja është e mallkuar dhe e mallkuar është gjithçka që gjendet në të, përveç asaj që bëhet për hir të All-llahut.”
Të jesh në dynja sikur një udhëtar
Nga Ibën Omeri, r.a., transmetohet se ka thënë: “Pejgamberi i All-llahut më kapi për shpatulle dhe më tha: ‘Bëj ibadet All-llahut sikur e sheh Atë. Ji në dynja si i huaj ose si udhëtar.’” Shumë ajete kur’anore tregojnë për kalueshmërinë dhe thelbin e dynjasë. (Gafir, 39; Junus, 24)
Pejgamberi i All-llahut, s.a.v.s., ka thënë: “Shembulli im dhe i dynjasë është si ai i kalorësit që u strehua nën hijen e një peme, pastaj u largua dhe e la atë.”
Një njeri hyri në shtëpinë e Ebu Dherr-it, r.a., dhe filloi të shikojë përreth, pastaj e pyeti: “O Ebu Dherr, ku janë orenditë dhe mobiljet e tua?” Ai u përgjigj: “Ne kemi një shtëpi tjetër dhe së shpejti do të shpërngulemi atje.” Njeriu i tha: “Por, ju duhet të keni sende edhe këtu, sa kohë që jeni!” Ebu Dherri i tha: “Pronari i shtëpisë nuk do të na lërë të qëndrojmë këtu.”
Lakmia – sëmundja e pangopësisë
Lakmia e nënkupton ndjenjën e dëshirës së tepruar për diçka dhe ajo e shtyn njeriun të mos i kushtojë rëndësi kufijve dhe ta tejkalojë masën. Koprracia dhe lakmia janë tipare shumë të shëmtuara që islami i ndalon dhe njofton se ai që shmanget nga këto tipare do të shpëtojë. All-llahu, xh.sh., në Kur’an thotë: “Dhe ata që ruhen nga lakmia, ata janë të shpëtuarit.” (Tegabun, 16)
Lakmia është një tipar aq i keq sa që njeriu bëhet i pangopur në mënyrë të verbër. Tërë ditën dhe natën e tij ia nënshtron fitimit të dynjasë dhe i harron veprat e mira. Në hadith thuhet: “Dy ujqër të uritur të lëshuar në një tufë delesh nuk do të bëjnë aq dëm sa dëmi që lakmia e njeriut për pasuri dhe famë mund t’i bëjë fesë së tij.”
Pasojat e lakmisë
Hz. Isai, a.s., udhëtoi me një njeri dhe, pasi u uritën shumë dhe arritën afër një fshati, Isai i tha, duke i dhënë disa monedha:
– Shko dhe na siguro diçka për të ngrënë!
Njeriu shkoi, kurse Isai u përgatit për namaz dhe filloi të falet. Kur njeriu u kthye, solli me vete tri bukë dhe u ul duke pritur që Isai të mbaronte namazin. Meqë pritja iu zgjat, ai hëngri një bukë.
Isai, kur njeriu po vinte, kishte vënë re se ai sillte tri bukë, por kur mbaroi namazin pa se kishin vetëm dy, dhe e pyeti njeriun:
– Ku është buka e tretë?
Njeriu u përgjigj: – Kam sjellë vetëm dy bukë!
Pastaj ata i hëngrën ato dy bukë dhe e vazhduan rrugën.
Duke ecur më tej, hasën në një fshat të braktisur dhe në mes të fshatit tri gropa të mëdha rëre. Isai atëherë tha: – Me lejen e All-llahut, bëhuni ari!
Për habinë e madhe të atij njeriu, të tri gropat e rërës u shndërruan në tri grumbuj ari. Isai vazhdoi:
– Një grumbull për mua, një për ty, dhe i treti për atë që e hëngri bukën e tretë!
Atëherë njeriu bërtiti: – Unë e hëngra bukën e tretë!
Isai i dha të tri grumbujt e arit dhe e la, duke vazhduar rrugën e tij, ndërsa njeriu mbeti pa ditur si ta mbante atë sasi ari.
Andej kaluan tri veta, hajdutë, dhe kur e panë me gjithë atë ari, e vranë për t’ia marrë të gjithë. Pastaj e dërguan njërin prej tyre në fshatin fqinj për ushqim. Kur ai u largua, njëri nga të dy të mbeturit i tha tjetrit: – Kur ai të kthehet, do ta vrasim dhe do ta ndajmë arin midis nesh dyve! Hajduti u pajtua menjëherë.
Sa i përket të tretit, ai shkoi duke menduar si të shpëtonte nga shokët e tij. Kështu vendosi të helmojë ushqimin që do t’u çonte, në mënyrë që, kur të dy ta hanin, të vdisnin.
Ai veproi kështu, solli ushqimin, dhe të dy e vranë sipas marrëveshjes, pastaj hëngrën ushqimin e helmuar dhe vdiqën të dy!!
Më vonë, Isai kaloi përsëri aty dhe kur i pa të katërt të vdekur rreth atij ari, tha: – Ja si I trajton dynjaja ata që luftojnë vetëm për të!
Lakmia nuk e shton furnizimin (rizkun)
Haris Muhasibi, k.s., ka thënë: “Ai që është lakmitar, sado i pasur dhe me pasuri që të jetë, ai përsëri është një fakir – i varfër.”
Ti ke më shumë nevojë për këtë…
“Një njeri i dha Xhunejd Bagdadit, kuddise sirruhu, pesëqind monedha ari dhe i kërkoi t’ua shpërndante të varfërve. Evlija i madh e pyeti njeriun nëse ka akoma para. Njeriu u përgjigj se ka. Pastaj e pyeti nëse do të dëshironte të kishte edhe më shumë. Njeriu u përgjigj duke pohuarqëdo tëdëshironte edhe më shumë. Atëherë Xhunejd Bagdadi, kuddise sirruhu, ia ktheu monedhat dhe i tha: ‘Ti ke më shumë nevojë për këto se sa ne.’”
Njeriu duhet t’i pastrojë nga zemra e tij tiparet e këqija të zemrës, si zilia, lakmia, krenaria, hipokrizia dhe mendjemadhësia. E dimë se njeriu nuk bëhet i pjekur shpirtërisht nga shumësia e ibadeteve, por nëse pastrohet nga vetitë e nefsit. Shumësia e shkuarjeve në haxh apo agjërimi i pandërprerë dhe ibadeti i shumtë natën, nuk është masë e përsosmërisë së njeriut. Ai që e pastron nefsin e tij nga tiparet e shëmtuara, edhe nëse bën pak ibadet, është shumë më afër All-llahut se ai që nuk e pastron, por bën shumë ibadet.
Nëse nefsi edukohet dhe zemra pastrohet, atëherë këto tipare të këqija zëvendësohen me të mira. Në vend të zilisë – kënaqësia me caktimin dhe përulësia; në vend të lakmisë – tevekkuli (mbështetja te All-llahu) dhe sinqeriteti; në vend të koprracisë – bujaria; në vend të mendjemadhësisë – modestia dhe përulësia.
A e di se për çfarë lloj njerëzish është mungesa më e madhe?
Nëse kërkon mësues, mjekë ose jurist, do t’i gjesh shumë. Por nëse e kërkon atë që do të të udhëzojë drejt All-llahut, xhel-le shanuhu, dhe do të të mësojë për të metat e nefsit tënd, nuk do të gjesh shumë. E nëse je me fat dhe e gjen atë, kapu për të me të dyja duart dhe mos e lësho. — Ibën Ataullah Iskenderi, k.s.
Redaksia,
[Islampress.ch]























