Connect with us

Lajme

Çfarë uji pimë: A i lexon dikush raportet e IShP-së?

Publikuar

Rasti “Gostivari” e ndezi alarmin për cilësinë dhe sigurinë e ujit, por nëse lexohen me vëmendje raportet e Institutit të Shëndetit Publik (IShP), ose të paktën ai i fundit për vitin 2025, drita “e kuqe” ka qenë e ndezur edhe vitin e kaluar, transmeton Portalb.mk nga Dojçe Vele (DW).

“Cilësia e ujit të pijshëm në zonat urbane është relativisht stabile, por me një trend të rritjes të përkeqësimit të gjendjes, sidomos sa i përket jorregullshmërisë mikrobiologjike“,  thuhet në Raportin e IShP-së për gjendjen, cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm për vitin 2025, i cili është një analizë gjithëpërfshirëse e bazuar në të dhënat e Qendrave rajonale të Shëndetit Publik dhe IShP-së.

Në të është theksuar një rritje e përqindjes së mostrave të parregullta nga aspekti mikrobiologjik në zonat urbane (5,4%), por edhe norma dukshëm më të larta të parregullshmërisë në zonat rurale, sidomos tek sistemet individuale dhe të pakontrolluara të furnizimit me ujë — deri në 44,8% mostra uji të parregullta nga aspekti mikrobiologjik.

Si shkaqe më të shpeshta të parragullshmërisë janë identifikuar: desinfektimi i pamjaftueshëm ose mungesa e plotë e tij, mungesa e klorit rezidual, rritja e nivelit të turbullirës, si dhe prania e indikatorëve të ndotjes fekale.

Gjendja në vendet urbane

Për ilustrim, përqindja e mostrave të parregullta sipas analizës fiziko-kimike gjatë periudhës 19-vjeçare (2006–2025) ka qenë nga 0,7% deri në 7%, ndërsa përqindja e mostrave të parregullta në raport me analizën mikrobiologjike ka qenë nga 0,85% deri në 5,4%.

Përqindja e mostrave të parregullta të ujit në vitin 2025 ka qenë më e lartë sa i përket analizës mikrobiologjike (5,4%). Kjo është edhe përqindja më e lartë në periudhën 19-vjeçare të monitorimit (2006–2025). Siç thuhet në Raportin e IShP-së, kjo përqindje është si pasojë, para së gjithash, e pranisë së mikroorganizmave patogjenë (bakterie koliforme me origjinë fekale, Escherichia coli, Streptococcus fecalis), pranisë së Pseudomonas aeruginosa ose për shkak të numrit të rritur të kolonive bakteriale në 22 dhe 37 gradë Celsius.

Nga ana tjetër, sa i përket analizës kimiko-fizike krahasuar me vitin 2024 (4%), përqindja në vitin 2025 është pothuajse identike (4,1%).

“Qendrat e Shëndetit Publik në vitin 2025 e kanë ekzaminuar sigurinë e ujit nga objektet publike të furnizimit me ujë (çezmat publike) në zonat urbane. Nga 17 objekte janë marrë 87 mostra për analizë kimiko-fizike dhe analizë mikrobiologjike. Në Gostivar janë evidentuar një numër i konsiderueshëm i mostrave të parregullta”, thuhet në raport.

Furnizimi me ujë në vendet rurale

Në vendet rurale furnizimi me ujë është i ndarë në katër grupe: fshatra të kyçura në ujësjellësin e qytetit; fshatra të cilat menaxhohen nga Ndërmarrje Publike Komunale; fshatra me ujësjellës të vetin (të cilët menaxhohen nga bashkësia lokale); dhe fshatra me lloje të tjera objektesh — çezma, burime, të cilat janë mënyrat epidemiologjikisht më pak të sigurta për furnizimin me ujë të popullatës.

Një përqindje e lartë e popullatës në zonat rurale (15,6%) ende furnizohet me ujë të pijshëm nga objektet e veta për furnizim me ujë. “Monitorimi i parregullt (ose mungesa e plotë e monitorimit), mirëmbajtja joadekuate dhe joprofesionale e atyre objekteve, mungesa ose desinfektimi i pa rregullt i ujit të pijshëm ka si rezultat një përqindje të lartë të mostrave të parregullta të ujit të pijshëm (16,4% sa i përket analizës kimiko-fizike dhe 44,8% sa i përket analizës mikrobiologjike)”, theksohet në Raportin e IShP-së.

Këto përqindje janë dukshëm më të ulëta te fshatrat që janë të kyçura me ujësjellësin e qytetit (0,9% e popullatës së përgjithshme), ku 6,1% e mostrave janë të parregullta sa i përket analizës kimiko-fizike dhe rreth 8,4% sa i përket analizës mikrobiologjike.

5% e popullatës së përgjithshme furnizohet me ujë në mënyra të tjera, epidemiologjikisht më të pasigurta — çezma dhe burime, ku është e pritshme të identifikohen indikatorë të ndotjes fekale të ujit. Atje përqindja e analizave të parregullta kimiko-fizike është 19,9%, ndërsa përqindja e mostrave të parregullta nga aspekti mikrobiologjik arrin në 50,2% — që paraqet një përkeqësim të gjendjes krahasuar me vitin 2024 (48,7%).

Sa i përket furnizimit me ujë të fshatrave me ujësjellës të vetin vihet një përmirësim i gjendjes krahasuar me vitin 2024 (49,1% mostra të parregullta nga aspekti mikrobiologjik në vitin 2024 kundrejt 44,8% në vitin 2025).

Është e papranueshme të mos ketë kontroll

Devijimet kimiko-fizike (turbullira, hekuri, komponimet e azotit, mungesa e klorit rezidual) tregojnë për përpunim të pamjaftueshëm ose joadekuat teknologjik të ujit. Mosdefinimi ose mosrespektimi i zonave mbrojtëse rreth burimeve të ujit përbën një lëshim të rëndësishëm sistemik, ndërsa mungesa e kuadrit profesional dhe menaxhimi joadekuat i sistemeve të furnizimit me ujë e përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen. Nga raporti është e qartë edhe se mungon monitorimi i cilësisë dhe sigurisë së ujit, por nuk është theksuar se në çfarë mase.

“Mbetet rekomandimi që Qendrat rajonale të Shëndetit Publik detyrimisht ta monitorojnë cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm nga ujësjellësit e qyteteve (…) Është e papranueshme të mos ketë pasqyrë të qartë të sigurisë të ujit të pijshëm në territorin që e mbulojnë ato”, theksojnë nga IShP.

Nuk janë përllogaritur efektet e ndryshimeve klimatike

Ndryshimet klimatike përbëjnë një faktor shtesë rreziku që mund ta përkeqësojë gjendjen me cilësinë dhe disponueshmërinë e ujit në një të ardhme të afërt. Në Raportin e IShP-së për vitin 2025 analizohet vetëm cilësia e ujit, por jo edhe pasojat të cilat në një të ardhme të afërt mund të shndërrohen në një problem prioritar të shëndetit publik, duke i parasysh skenarët e projektuar për efektet e ndryshimeve klimatike.

“Janë identifikuar kontaminentë (mikrobiologjikë, por edhe kimiko-fizikë) në ujërat e patrajtuar (nëntokësorë dhe sipërfaqësorë) që shërbejnë për furnizimin e popullatës me ujë. Me rritjen e temperaturave të ajrit ambiental dhe shpeshtimin e periudhave të thatësirës, si dhe me shfaqjen e ngjarjeve ekstreme të motit (reshje të fuqishme dhe përmbytje), ky problem do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm”, paralajmërojnë nga Instituti.

Progresi nuk është i kënaqshëm

Edhe krahas investimeve të caktuara të pushtetit lokal dhe qendror për përmirësimin e furnizimit me ujë gjatë disa viteve të fundit nga IShP vlerësojnë se progresi nuk është i kënaqshëm, për çka dëshmojnë analizat laboratorike nga monitorimi i mostrave të ujit.

“Rolin kyç në këtë proces e luan ndarja e qartë e përgjegjësisë ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, që e kanë për detyrë të sigurojnë ujë cilësor të pijshëm për popullatën si dhe ujëra të sigurt për larje rekreative, por gjithsesi edhe përgjegjësia e vetë popullatës për ruajtjen e mjedisit jetësor në tërësi”, thonë nga IShP, duke theksuar se të dhënat nga Raporti mund të përdoren për krijimin e politikave nga institucionet përkatëse në nivel lokal dhe/ose qendror për përmirësimin e gjendjes me furnizimin me ujë.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave në vitin 2025 në ujësjellësin publik janë grumbulluar dhe shfrytëzuar 312.547 metra kub ujë për furnizim, që është për 1,9% më shumë krahasuar me vitin 2024. Nga sasia e përgjithshme e ujit të grumbulluar, sasia më e madhe (55,7%) është marrë nga ujërat e burimeve, ndërsa më vogël (1%) nga liqenet.

Sasia e përgjithshme e ujit të shpërndarë nëpërmjet ujësjellësit publik në vitin 2025 ka qenë për 2,1% më e vogël se sa ajo në vitin 2024. Sipas strukturës së konsumit të ujit, konsumatorët më të mëdhenj kanë qenë amvisëritë me 66,8% të ujit të përgjithshëm furnizuar nga ujësjellësi publik.

NA NDIQ NË FACEBOOK