Lajme
Blerim Sejdiu: Pollogu është me Gostivarin, jemi të gatshëm të ndihmojmë

Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka bërë të ditur se sot në Gostivar është zhvilluar një takim koordinues me kryetarët e komunave të Rajonit të Pollogut dhe përfaqësues të institucioneve kompetente, lidhur me situatën me furnizimin me ujë të pijshëm, transmeton Zyrtare.
Sejdiu ka theksuar se qëllimi i takimit ishte solidarizimi, mbështetja dhe koordinimi i ndihmës eventuale për qytetarët e Gostivarit dhe autoritetet lokale në përballimin e situatës.
Gjatë takimit, kryetari i Gostivarit, Valbon Limani, ka informuar të pranishmit për gjendjen aktuale, masat e ndërmarra dhe nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional.
Sipas Sejdiut, Limani ka njoftuar se gjendja po shkon drejt normalizimit dhe se së shpejti pritet edhe një prononcim zyrtar për hapat e mëtejshëm.
“Shëndeti dhe siguria e qytetarëve mbeten prioriteti ynë i përbashkët. Është e domosdoshme që të gjitha institucionet të vazhdojnë të veprojnë me përgjegjësi, transparencë dhe profesionalizëm, duke informuar rregullisht qytetarët dhe duke ndërmarrë masat e nevojshme sipas rekomandimeve të institucioneve kompetente”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka falënderuar kryetarët e komunave të Pollogut dhe përfaqësuesit e Shtabit të Krizave për angazhimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se vetëm përmes koordinimit institucional mund të tejkalohet më shpejt situata dhe t’u garantohet qytetarëve siguri e besim.

















