Religjion
A mund të shkojë muslimani në det?

Nga Ebu Dherri transmetohet se i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Unë shoh atë që ju nuk e shihni dhe dëgjoj atë që ju nuk e dëgjoni. Dëgjoj kërcitjen e qiejve, e ata me të drejtë kërcasin nga madhërimi dhe frika ndaj Allahut, sepse në to nuk ka asnjë vend sa katër gishta, e të mos jetë aty një melek që e ka vendosur ballin në sexhde para Allahut! Pasha Allahun, sikur ta dinit atë që unë di, do të qeshnit pak e do të qanit shumë; në vend që të kënaqeshit me mirësitë e kësaj bote, do të dilnit në shkretëtira duke kërkuar mbrojtje dhe strehim tek Allahu! Nganjëherë dëshiroj të isha një pemë e shkulur nga rrënjët.” (Transmeton Tirmidhiu).
Ka njerëz për të cilët Allahu flet në Kuran, të cilët do të dëshirojnë të mos kishin ekzistuar fare, por të ishin pluhur dhe jo njerëz. Ka njerëz, për të cilët Allahu flet, që do të pendohen pse nuk u përgatitën në këtë botë për jetën e përhershme. Allahu i Lartësuar askënd nuk e ka dënuar kurrë pa e paralajmëruar më parë, pa i dërguar këshillë, udhëzim, qortim dhe të dërguar. Ndërsa të gjithë ata që, kur të dalin para Tij, do të pendohen që janë krijuar, Ai do t’i pyesë: “A nuk ju erdhi ndonjë paralajmërues?!” Po – do të përgjigjen ata – na ka ardhur vërtet paralajmërues, por ne i quajtëm ata gënjeshtarë dhe thamë: “Allahu nuk ka shpallur asgjë; ju jeni në një humbje të madhe!” (El-Mulk, 8–9).
Nuk ka asnjë fushë të veprimtarisë njerëzore dhe asnjë aspekt të jetës së njeriut në këtë botë që feja të mos e ketë rregulluar me dispozita. Prandaj Kurani flet edhe për pushimin.
Njeriu, si krijesë e papërsosur, lodhet dhe pushimi është domosdoshmëri për të. Atij nuk i mjafton vetëm pushimi i shkurtër i natës pas angazhimeve të ditës. Njeriut i nevojitet edhe një pushim më i gjatë nga puna e përditshme, që të largohet për pak kohë nga monotonia e jetës së zakonshme. Atij i duhet edhe pushimi vjetor.
Duke folur për pushimin, Allahu i Madhërishëm thotë: “O besimtarë! Robërit dhe fëmijët tuaj që s’kanë arritur pubertetin, le t’ju kërkojnë leje (për të hyrë) në tri kohë: para namazit të mëngjesit, kur i zhvishni rrobat në mesditë dhe pas namazit të jacisë. Këto janë tri kohë kur i hiqni rrobat. Nuk ka gjynah as për ju as për ata që, pas këtyre rasteve, të vizitoni njëri-tjetrin (pa kërkuar leje për të hyrë). Kështu jua shpjegon Allahu shpalljet juve! Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm. – Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pubertetit, le të kërkojnë leje, ashtu siç kanë kërkuar leje ata para këtyre. Kështu jua shpjegon Allahu juve shpalljet e Tij! Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nur, 58–59).
Kur tek ne flitet për këtë pushim disaditor, të cilin e quajmë pushim vjetor, më së shpeshti nënkuptohet shkuarja në det, zakonisht me familjen. Për muslimanin nuk ka pengesë që t’i shfrytëzojë mirësitë e kësaj bote, e edhe deti është një prej tyre, përderisa kjo bëhet brenda kufijve të asaj që është e lejuar.
Si burri ashtu edhe gruaja, si mslimani ashtu edhe muslimanja, kur është fjala për veshjen, kanë kufij të caktuar. Sipas dispozitave islame, avreti (pjesa e turpshme e trupit) për burrin është prej kërthizës deri poshtë gjunjëve, ndërsa për gruan është i tërë trupi, përveç fytyrës, shuplakave dhe këmbëve.
Kur pushojmë nga angazhimet e përditshme, Zoti ynë na ka urdhëruar që edhe fëmijët tanë të vegjël të mos hyjnë në dhomat tona në kohë të caktuara, që të mos i shohin pjesët tona të turpshme. Po kështu, edhe kur është fjala për pushimin vjetor, rregullat mbeten të njëjta.
Shumë prej vëllezërve dhe motrave tona shkojnë me familjet e tyre në plazhe detare, por edhe në plazhe të tjera, dhe para fëmijëve të tyre, madje jo vetëm para tyre, por edhe para të gjithë të pranishmëve, zhvishen dhe e ekspozojnë trupin, duke ia privuar kështu vetes mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut.
Ne e kemi për detyrë të paralajmërojmë, të këshillojmë dhe të rikujtojmë, në frymën e hadithit të përmendur në fillim, se kjo botë nuk është vendi ku njeriu duhet t’u dorëzohet kënaqësive, por është vendi ku duhet të luftojë për botën tjetër dhe për kënaqësinë e përjetshme.
Allahu i Lartësuar u drejtohet besimtarëve dhe besimtareve me këtë urdhër: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. – Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre.” (En-Nur, 30–31).
Besimtari nuk i tejkalon kufijtë që Allahu i ka vendosur për të arritur kënaqësitë e kësaj bote. Nëse është e mundur të shijohet mirësia e detit, e plazhit detar apo e ndonjë plazhi tjetër, dhe nëse pushimi vjetor mund të kalohet në atë ambient në përputhje me dispozitat e fesë, atëherë nuk ka asnjë pengesë. Muslimanit nuk i ndalohet të shkojë në det; atij i ndalohet të bëjë gjynah, kudo dhe kurdo. Nuk ekziston as kohë dhe as vend ku gjynahu pushon së qeni gjynah.
I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: “Hallalli është i qartë edhe harami është i qartë.” Meqë e dimë çfarë është e lejuar dhe çfarë është e ndaluar, nuk do të mund të arsyetohemi para Zotit të botëve pse i kemi kërkuar kënaqësitë e kësaj bote në mënyrë të palejuar.
Allahu i Madhërishëm ia mundësoi të Dërguarit të Tij (savs), që të dijë atë që ne nuk e dimë dhe që të shohë atë që ne nuk e shohim. Pasi e pa atë që është e fshehur për ne, ai na paralajmëroi: “Sikur ta dinit atë që unë di, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.” Pra, nuk do t’i lakmonit kënaqësitë kalimtare, por kënaqësinë e Allahut.
O Allahu i Madhëruar, na ndihmo dhe na udhëzo! Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)























