Lajme
Shqipëria miraton “One Stop Shop”, Kasami: Lehtësojmë lëvizjen e qytetarëve

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për miratimin e pikave të përbashkëta kufitare me një ndalesë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në një postim publik, Kasami theksoi se pas vendimit të miratuar nga Qeveria në Shkup dy ditë më parë, tashmë është hapur rruga për zbatimin e sistemit “One Stop Shop”, i cili pritet të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve në pikat kufitare mes dy vendeve.
Sipas tij, ky model ka dëshmuar sukses në vendkalimet kufitare me Kosovën dhe pritet të sjellë përfitime të ngjashme edhe në kufirin me Shqipërinë.
“Pas vendimit të Shkupit dy ditë më parë, tashmë definitivisht hapet rruga për lehtësimin e kalimit në kufi, një çështje shumë e rëndësishme që u dëshmua shumë e suksesshme në vendkalimet me Kosovën”, shkroi Kasami.
Ai shtoi se bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe lehtësimin e lëvizjes për qytetarët.



















