Lajme
Sedat Sulejmani takon drejtues të AK Parti dhe ambasadorin turk, theksohet forcimi i bashkëpunimit me VLEN-in

Zëvendësministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, ka zhvilluar një takim me nënkryetarin e AK Parti, Kürşad Zorlu, si dhe me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Fatih Ulusoy.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Sulejmani bëri të ditur se takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet VLEN-it dhe AK Parti, si dhe për interesat e përbashkëta në fushën ekonomike dhe kulturore.
Sipas tij, bashkëbisedimi u fokusua edhe në mundësitë për thellimin e partneritetit dhe krijimin e iniciativave të reja që do të kontribuojnë në zhvillimin dhe afrimin e mëtejshëm ndërmjet dy vendeve dhe popujve.
Sulejmani theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë marrëdhënie tradicionale miqësore dhe një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi respektin reciprok, historinë e përbashkët dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
“Dialogu dhe komunikimi i sinqertë mbeten baza më e mirë për avancimin e këtyre lidhjeve edhe në të ardhmen”, ka vlerësuar ai.
Në fund, zëvendësministri i Kulturës falënderoi nënkryetarin e AK Parti, Kürşad Zorlu, dhe ambasadorin Fatih Ulusoy për vizitën, bisedën e hapur dhe gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet palëve.
















