Lajme
Sali: Sistemi “One Stop Shop” së shpejti në vendkalimet kufitare Qafë Thanë dhe Bllatë me Dibrën

Sistemi “One Stop Shop” së shpejti do të operacionalizohet në vendkalimet kufitare Qafë Thanë, Bllatë dhe Shën Naum, ka thënë zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali në pyetjen e deputetes së BDI-së Arbana Pasholli në Kuvend e cila kërkoi vënien në funksion të sistemit për kontrolle të përbashkëta kufitare në vendkalimin kufitar Bllatë-Dibër.
Sipas zëvendëskryeministrit Sali, ruajtja e marrëdhënieve të mira me fqinjët është një nga politikat e kabinetit qeveritar.
“Qeveria nuk ka mbyllur një proces që prej kohësh pritej për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet dy vendeve fqinje. Siç dihet, faza e parë e këtij lehtësimi të lëvizjes ishte me sistemin ‘One Stop Shop’ në Tabanoc, ndërsa brenda pak ditësh me Republikën e Shqipërisë do të vihet në funksion pjesa që ka të bëjë me lëvizjen e qytetarëve në Qafë Thanë, Bllatë dhe Shën Naum. Kjo qeveri i qaset seriozisht kësaj çështjeje dhe ruajtja e marrëdhënieve të mira me fqinjët është një nga politikat dhe përcaktimet tona programore”, u shpreh Sali.
















