Connect with us

Religjion

Qerbelaja sprovë dramatike e së mirës dhe së keqes

Publikuar

Dr. Mustafa ef. Cerić

Sonte hyn nata e 10 Muharremit të vitit 1448 hixhri, dita e Ashures – një ditë me domethënie të thellë, kur mendimet e shumicës së muslimanëve, në mënyrë të pashmangshme, drejtohen edhe kah Qerbelaja, vendi ku Hazreti Husejni, nipi i të Dërguarit të Allahut, së bashku me më të dashurit e tij, dha jetën duke mbrojtur të vërtetën, dinjitetin dhe parimin moral.

Qerbelaja nuk është vetëm një ngjarje historike; ajo është një kujtesë e përhershme se besimtari nuk guxon ta sakrifikojë drejtësinë për hir të një përfitimi kalimtar, as të vërtetën nga frika e pushtetarëve. Prandaj, në Ditën e Ashures, me pikëllim e kujtojmë tragjedinë e Qerbelasë, por edhe më shumë përpiqemi t’i ringjallim vlerat të cilat Hazreti Husejni i dëshmoi me jetën e tij: besimin, guximin, durimin dhe përkushtimin e palëkundur ndaj Allahut.

Le të jetë kujtimi i Qerbelasë burim mësimi e jo përçarjeje; burim vetëdijeje morale e jo hidhërimi; dhe le të na nxisë që në jetën tonë të jemi gjithmonë në anën e së vërtetës, drejtësisë dhe së mirës.

Figurat si Shimr bin Dhil-Xhevsheni dhe Sinan bin Enesi zënë një vend veçanërisht të rëndë në vetëdijen historike islame. Kur flitet për ta, nuk bëhet fjalë vetëm për biografitë e disa individëve, por për simbolet e një prej tragjedive më të mëdha në historinë e muslimanëve – vrasjen e Hazreti Husejn bin Aliut në betejën e Qerbelasë në Irak.

Pamja historike

Më 10 tetor të vitit 680 të erës sonë, përkatësisht më 10 Muharrem të vitit 61 hixhri, Hazreti Husejn bin Aliu, nipi i Pejgamberit Muhamed (savs), u nis drejt Kufës, pasi shumë banorë të atij qyteti ia kishin shprehur mbështetjen e tyre. Mirëpo, rrethanat politike ndryshuan shpejt. Ushtria e pushtetit emevit e rrethoi Hazreti Husejnin dhe grupin e tij të vogël, të përbërë nga familjarët dhe përkrahësit e tij, në Qerbela.

Në burimet klasike historike, Shimr bin Dhil-Xhevsheni paraqitet si njëri prej komandantëve më të ashpër dhe më të pamëshirshëm të ushtrisë që qëndronte përballë Hazreti Husejnit. Traditat e përshkruajnë atë si një njeri që këmbëngulte në mënyrë aktive për trajtim të egër ndaj Hazreti Husejnit dhe shokëve të tij.

Sinan bin Enesi, në shumë transmetime tradicionale, përmendet ndër ata që morën pjesë drejtpërdrejt në aktin përfundimtar të vrasjes. Burimet historike ndryshojnë në hollësitë se kush e dha goditjen e fundit, por si Shimri ashtu edhe Sinani, në kujtesën kolektive islame, lidhen me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në atë krim.

Për këtë arsye, emrat e tyre nuk mbetën në kujtesë si emra komandantësh ushtarakë, politikanësh apo prijësish fisnorë, por si emra njerëzish trashëgimia historike e të cilëve është e lidhur pandashëm me tragjedinë historike të Qerbelasë.

Dimensioni më i thellë moral

Natyrisht, Qerbelaja nuk është vetëm rrëfimi për dy njerëz. Sepse, po të ishte problemi vetëm te Shimri dhe Sinani, tragjedia do të ishte e thjeshtë. Mirëpo, Islami na mëson se padrejtësia e madhe rrallëherë lind nga një zemër e vetme. Ajo lind atëherë kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se drejtësia; kur bindja ndaj njerëzve bëhet më e rëndësishme se bindja ndaj Allahut; kur frika e mposht ndërgjegjen; kur turma hesht përballë padrejtësisë.

Prandaj, Shimri dhe Sinani përfaqësojnë përfundimin ekstrem të një rënieje morale që kishte përfshirë një rreth shumë më të gjerë njerëzish. Shumica nuk e sulmoi fizikisht Hazreti Husejnin. Shumica nuk e derdhi gjakun e tij të pafajshëm. Por shumica as nuk u ngrit në mbrojtje të pafajësisë së tij.

Pikërisht për këtë arsye, dijetarët islamë ndër shekuj kanë theksuar shpesh se Qerbelaja nuk është vetëm një mësim për kriminelët, por edhe për heshtjen e shumicës së “njerëzve të mirë”.

Faji shpirtëror dhe barra e Umetit

Muslimanët, përgjatë shekujve, kanë ndier pikëllim për Qerbelanë, sepse u vra një njeri i pafajshëm, të cilin i Dërguari i Allahut e donte. Në transmetimet autentike përcillet se Pejgamberi (savs) fliste për dashurinë e tij ndaj Hasanit dhe Husejnit, duke i quajtur ata prijësit e të rinjve të Xhenetit. Prandaj, dhembja për fatin e tyre është pjesë e natyrshme e ndjenjës islame të respektit ndaj Ehli Bejtit.

Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet kujtimit dhe dëshpërimit; ndërmjet mësimit dhe fiksimit pas së kaluarës; ndërmjet përgjegjësisë dhe fajit të trashëguar.

Ummeti nuk e bart fajin për veprat e Shimrit dhe Sinanit. Çdo shpirt do ta bartë barrën e vet para Allahut. Asnjë musliman i sotëm nuk është përgjegjës për atë që ka bërë dikush para katërmbëdhjetë shekujsh. Përgjegjësia e muslimanit të sotëm nuk është ta mbajë mbi vete fajin e tyre, por ta nxjerrë mësimin nga rënia e tyre.

Si të përballemi me këtë të kaluar?

Ndoshta qasja më e shëndoshë islame përbëhet nga katër elemente:

a) Ta ruajmë kujtesën. Të mos e harrojmë Qerbelanë. Të mos e zbehim madhështinë e tragjedisë së saj. Ta nderojmë Hazreti Husejnin, familjen e tij dhe shokët e tij.

b) Të mos jetojmë në një hidhërim të përhershëm historik. Islami nuk kërkon që njeriu ta kalojë tërë jetën në urrejtje ndaj të vdekurve. Urrejtja që trashëgohet brez pas brezi shpesh krijon ndarje të reja, në vend se të sjellë zgjidhje të reja.

c) Ta shndërrojmë pikëllimin në vigjilencë morale. Monumenti më i madh për Hazreti Husejnin nuk është loti, por karakteri. Kur njeriu e refuzon padrejtësinë, e mbron të dobëtin, e thotë të vërtetën përpara të fuqishmit dhe e ruan dinjitetin e fesë, atëherë fryma e Qerbelasë bëhet mësim i gjallë.

ç) T’ia lëmë gjykimin përfundimtar Allahut të Gjithëmëshirshëm. Historia i regjistron veprat e njerëzve, por gjykimi përfundimtar i takon Allahut të Lartësuar.

Muslimani mund ta thotë qartë se vrasja e Hazreti Husejnit ishte një krim i rëndë, ndërsa në të njëjtën kohë ta lërë vendimin përfundimtar në dorën e Zotit të botëve.

Shimr bin Dhil-Xhevsheni dhe Sinan bin Enesi kanë mbetur në kujtesën e muslimanëve si simbole të atij çasti kur pasioni politik, bindja e verbër ndaj pushtetit dhe ndërgjegjja e mpirë çuan në derdhjen e gjakut të nipit të të Dërguarit të Allahut. Emrat e tyre na kujtojnë se deri ku mund të bjerë njeriu kur e hesht zërin e ndërgjegjes së tij.

Por Qerbela nuk është fjala e fundit e historisë islame. Fjala e fundit nuk është Shimri. Nuk është Sinani. Nuk është as shpata.

Fjala e fundit është mësimi: se e vërteta mund të mbytet në një çast, por shkëlqimi i saj moral mund t’u mbijetojë shekujve.

Prandaj muslimanët e kujtojnë Hazreti Husejnin jo para së gjithash për mënyrën se si u vra dhe u bë shehid, por për vlerat që ai përfaqësonte – besnikërinë ndaj parimit, dinjitetin përballë forcës dhe bindjen se nderi është më i çmuar se pushteti kalimtar.

II

Një prej mësimeve më të thella të Qerbelasë është vetëdija se Allahu i Madhëruar nuk e ka caktuar historinë njerëzore si një rrugë të qetë dhe të njëtrajtshme, në të cilën e mira dhe e keqja nuk përplasen kurrë me njëra-tjetrën. Përkundrazi, historia është hapësira e sprovës, skena e përgjegjësisë morale dhe vendi ku zbulohen thellësitë e fshehura të zemrave njerëzore.

Sikur të kishte dashur Allahu, Ai do ta kishte mbrojtur Hazreti Husejnin nga armiqtë e tij, ashtu siç do të kishte mundur t’i kursente edhe pejgamberët e tjerë nga sprovat e tyre të rënda. Mirëpo, urtësia e Allahut nuk qëndron në largimin e çdo sfide, por në atë që, përmes sfidave, të zbulohet e vërteta mbi njerëzit.

Që nga Hazreti Ademi, i cili u sprovua me rrëshqitjen dhe pendimin; te Hazreti Ibrahimi, i cili u sprovua me zjarrin dhe flijimin; Hazreti Musai, i cili u përball me forcën faraonike; Hazreti Isai, i cili iu ekspozua mohimit dhe përndjekjes; e deri te Hazreti Muhamedi (savs), i cili kaloi nëpër refuzim, bojkot, përndjekje dhe luftëra – të gjithë të dërguarit e Allahut kaluan nëpër dramën e historisë.

Madhështia e tyre nuk qëndronte në faktin se jetuan pa sprova, por në atë se, përmes sprovave, dëshmuan besim, durim, guxim dhe mbështetje të plotë tek Allahu.

Edhe Qerbelaja është pjesë e po kësaj urtësie hyjnore. Në të nuk u sprovua vetëm Hazreti Husejni; u sprovuan edhe kundërshtarët e tij, edhe ata që e mbështetën, edhe ata që heshtën, edhe ata që lëkundeshin ndërmjet së vërtetës dhe interesit. Pikërisht për këtë arsye Qerbelaja mbetet mësim i përhershëm për të gjithë brezat.

Ajo tregon se Allahu lejon që ngjarjet të zhvillohen në mënyrë që të zbulohet ajo që fshihet në shpirtrat e njerëzve; që të dallohet sinqeriteti nga hipokrizia, guximi nga frika dhe besnikëria ndaj parimeve nga nënshtrimi ndaj pushtetit kalimtar.

Po të mos kishte sprova, nuk do të dihej se kush është i gatshëm ta flijojë interesin e vet për hir të së vërtetës. Po të mos kishte kthesa historike, nuk do të mund të njihej madhështia e vendimeve morale.

Prandaj historia nuk është një skenë e ngurtë, ku të gjithë qëndrojnë në të njëjtin vend, por një rrjedhë dinamike në të cilën, ditë pas dite, zbulohet karakteri i njerëzve dhe i bashkësive.

Prandaj Qerbelaja na mëson se drejtësia e Allahut nuk është gjithmonë menjëherë e dukshme për sytë e njerëzve.

Nganjëherë duket sikur forca triumfon, ndërsa të drejtët bien viktimë. Mirëpo, masa përfundimtare nuk është çasti, por përjetësia; nuk është fitorja kalimtare, por kënaqësia e Allahut.

Ata që në Qerbela kishin shpatat dhe pushtetin mbetën vetëm një fusnotë e historisë, ndërsa emri i Hazreti Husejnit u bë simbol i qëndrueshmërisë morale përgjatë shekujve.

Në këtë qëndron mësimi i madh për çdo besimtar: Mos e mat suksesin vetëm me atë që sheh sot. Allahu e drejton historinë sipas urtësisë së Tij. Detyra e njeriut është ta zgjedhë anën e së vërtetës, qoftë edhe kur është në pakicë, sepse vlera e veprës nuk matet me fuqinë e çastit, por me peshën që ajo ka para Allahut, Zotit të botëve.

https://preporod.info/misljenja/kolumne/kerbela-dramaticni-test-dobra-i-zla

Përshtati në shqip:Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK