Lajme
“Patriotizmi matet me vepra”, Besar Durmishi i përgjigjet ashpër Bujar Osmanit

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka reaguar ashpër ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme dhe nënkryetarit të Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, duke e akuzuar për hipokrizi dhe mungesë të qëndrimeve të qarta në raport me çështjet kombëtare, transmeton Zyrtare.
Në reagimin e tij, Durmishi ironizon me qëndrimet e Osmanit, duke thënë se do të kishte qenë më mirë sikur gjatë mandatit të tij të kishte zhvilluar më shumë kontakte me përfaqësuesit e Kosovës, sesa me zyrtarë të Serbisë.
“Sa mirë do të ishte sikur të mos kisha shkuar 11 herë në Serbi e asnjëherë në Kosovë; sikur të mos i kisha takuar kaq shumë Daçiçin, Vuçiqin e Lavrovin, e të paktën një herë ta kisha takuar Albin Kurtin”, shkruan Durmishi.
Ai rikujton edhe zhvillimet pas sulmit në Banjskë, duke pretenduar se Osmani nuk e dënoi sulmin, por u angazhua për një plan që, sipas tij, parashihte tërheqjen e forcave të sigurisë së Kosovës nga veriu dhe rikthimin e ndikimit serb në atë pjesë të vendit.
Durmishi vlerëson se patriotizmi nuk mund të përdoret si mbulesë për veprime të kaluara politike, duke shtuar se ai nuk matet me deklarata apo postime në rrjetet sociale.
“Patriotizmi nuk matet me fjalë e postime, por me qëndrime dhe veprime kur kombi ka nevojë për to”, thekson ministri i Ekonomisë në reagimin e tij ndaj Osmanit.















