Connect with us

Religjion

Nuk është uzurpim i së drejtës së askujt kur luftojmë për të vërtetën

Publikuar

Në shpellën Hira, i Dërguari i Allahut (savs) shkonte duke kërkuar të Vërtetën. Në shpellën Thevr u strehua për ta mbrojtur dhe ruajtur të Vërtetën. Midis Hiras dhe Thevrit kaluan trembëdhjetë vjet. Gjatë gjithë atyre viteve, i Dërguari (savs) punoi pa u lodhur që e Vërteta të pranohej në Mekë. Individë të veçantë e pranonin të Vërtetën, por sistemi dhe shoqëria mekase e kundërviheshin fuqishëm, derisa u bë e pamundur që e Vërteta të jetohej në Mekë.

Ata që e ndoqën të Dërguarin (savs) në Mekë nuk e patën problem t’i linin të gjitha të mirat e kësaj bote dhe, për hir të mbrojtjes së së Vërtetës, të largoheshin. Suhejb Rumiu kishte qenë rob i bizantinëve, e më pas ishte shitur si skllav në Mekë. Ai e fitoi lirinë e tij, por kur deshi të shpërngulej në Medinë, kurejshitët i thanë: “Ti erdhe te ne si një i varfër. Këtu u vendose dhe u pasurove, e tani dëshiron të largohesh duke marrë me vete pasurinë tënde. Për Zotin, kjo nuk do të ndodhë!” Suhejbi u tha: “Po sikur t’jua lija tërë pasurinë time, a do të më lejonit ta vazhdoja rrugën time?” “Po”, iu përgjigjën ata. Atëherë ai tha: “Jua lë gjithë pasurinë time.” Kur ky lajm arriti tek i Dërguari (savs), ai tha: “Suhejbi ka fituar! Suhejbi ka fituar!” (Nektari i vulosur i Xhenetit, fq. 139–140). Ky rast u bë shkak për shpalljen e ajetit 207 të sures el-Bekare: “Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robtë e Vet.”

Drejt së Vërtetës synonte Suhejbi dhe të gjithë ata që u sakrifikuan në rrugën e Hixhretit. Hixhreti është fluturim drejt së Vërtetës. Trembëdhjetë vjet u përgatitën për atë fluturim, e pastaj, me Hixhretin dhe me gjithçka që pasoi, dëshmuan se pa sakrificë nuk ka sukses, se pa luftë nuk ka fitore. Ata dëshmuan se jetojnë ata që vërtet janë të gatshëm të vdesin për idealin.

Ata fituan sepse vdekjen e donin po aq sa armiqtë e tyre që e donin jetën. Hixhreti e solli Bedrin dhe betejat e tjera; e ato kërkuan sakrifica; kurse sakrificat sollën fitore. Fitorja e bëri të mundur jetën, zhvillimin e pandërprerë të shoqërisë muslimane dhe përhapjen e mëtejshme të Islamit.

Me Hixhretin në Medinë, që është dëshmi e sakrificës dhe e mohimit të vetvetes, muslimanët jo vetëm që e rifituan Mekën, por e mbajtën atë përgjithmonë për vete dhe e ndërtuan një shtet të madh.

Që të ishin të gatshëm t’i pranonin njerëzit që jetonin ideale të tilla dhe që të bëheshin bashkëluftëtarë e bashkëqytetarë të denjë të tyre, i Dërguari (savs) kërkoi nga banorët e Jethribit (Medines) që të zotoheshin se edhe ata vetë do të fluturonin fuqishëm drejt së Vërtetës dhe me angazhimin e tyre do të bëheshin pjesëmarrës në Hixhret.

Ubade bin Samiti ishte pjesëmarrës në Besëlidhjen e dytë në Akabe, ku ai dhe shokët e tij iu zotuan të Dërguarit (savs) për dëgjueshmëri dhe zbatim të pakushtëzuar të urdhrave të tij, në vështirësi e në rehati, në paqe e në luftë. “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” (el-Ahzab, 36).

Pikërisht këta njerëz, të cilët në Akabe iu zotuan për besnikëri të Dërguarit (savs), në natën e Bedrit do t’i thoshin: “Po të na kërkoje të hynim në det, ne do të hynim pas teje.” Ky është fluturimi i vërtetë drejt së Vërtetës dhe gatishmëria e qartë për sakrificë, e cila është edhe fryma e vërtetë e Hixhretit. Fryma e Hixhretit duhet të jetë burimi i forcës sonë. Ajo nuk duhet të na lejojë të biem në gjumë e të na kaplojë harresa, duke na ekspozuar ndaj rreziqeve. Le të fluturojmë drejt së Vërtetës duke e bërë Hixhretin tonë personal, duke hequr dorë nga gjithçka që na lidh me zinxhirët e mëkatit dhe të prapambetjes. Le ta sakrifikojmë gjumin për namazin, Facebook-un për librin, largimin nga njerëzit për xhematin… I Dërguari (savs) kërkon prej nesh zell dhe përkushtim; kërkon që muslimani t’i vijë në ndihmë muslimanit, që të mos ia kthejmë shpinën njëri-tjetrit, që të mos punojmë kundër njëri-tjetrit. E kur i Dërguari (savs) kërkon diçka, askush nuk ka të drejtë të veprojë sipas qejfit të vet. Prandaj bëje hapin e Hixhretit tënd dhe fluturo drejt së Vërtetës.

Në Akabe, thotë Ubade bin Samiti, u zotuam për altruizëm dhe se nuk do ta uzurponim të drejtën e askujt. Muhaxhirët sakrifikuan me bujari gjithçka në rrugën e fluturimit të tyre drejt së Vërtetës, në rrugën e Hixhretit të tyre. Ensarët ndoqën shembullin e tyre, sepse kështu ishin betuar para të Dërguarit (savs), dhe në këtë mënyrë e bënë më të sigurt rrugën drejt Mekës. Edhe pse Hixhreti nënkupton largimin nga Meka, falë unitetit të muhaxhirëve dhe ensarëve dhe falë altruizmit të tyre, ai në të vërtetë ishte hapi i parë drejt Mekës së lirë dhe të larë me dritën e së Vërtetës. Prej tyre mësojmë vetëmohimin.

Ka aq shumë vende, fshatra dhe qytete që presin që, duke treguar altruizmin tonë, t’i mbështesim vëllezërit tanë dhe t’i ndihmojmë që në ato vende të dëgjohet përsëri ezani dhe që rrugicat e fshatrave dhe lagjet e qyteteve të jehojnë sërish nga zëri dhe gjallëria e fëmijëve të mektebit. Le ta ringjallim frymën e Hixhretit në veten tonë, sepse në të gjendet burimi i forcës sonë. Ajo është zgjimi ynë shpirtëror.

Ata që bënë Hixhret me të Dërguarin (savs) ose që e ndihmuan atë, nuk ia uzurpuan askujt të drejtën, por luftuan me të gjitha forcat për të drejtën e tyre. Nuk është uzurpim i të drejtës së askujt kur fëmijët tanë dhe prindërit e tyre luftojnë që ta mësojnë gjuhën e tyre dhe t’i studiojnë lëndët e tyre kombëtare.

Atje, në Akabe, i premtuam të Dërguarit (savs) se gjithmonë dhe kudo do ta flasim të Vërtetën dhe se nuk do të frikësohemi nga qortimi i askujt për shkak të luftës sonë në rrugën e Allahut. Që kur erdhi e Vërteta – e ajo erdhi në shpellën Hira – është derdhur shumë djersë dhe shumë gjak që ajo të ruhej, të përhapej dhe t’u përcillej të tjerëve. Ata të dy, i Dërguari (savs) dhe Ebu Bekri (r.a.), të cilët u larguan të fundit nga Meka, u strehuan në shpellën Thevr për ta mbrojtur të Vërtetën. Abdullahu dhe Esmaja ndihmuan në ruajtjen e saj. Të gjithë sahabët u larguan nga Meka duke e mbrojtur të Vërtetën dhe me dëshirën e fortë dhe vendosmërinë e palëkundur për ta kthyer atë përsëri në Mekë.

Sot, shoqëria jonë, madje i gjithë umeti, ka etje për të Vërtetën që duhet t’ia themi vetes sonë. Kur na e thonë të tjerët, mendojmë se nuk na duan të mirën dhe se fjalët e tyre janë qëllimkëqija. Hixhreti është fluturim drejt së Vërtetës, ndërsa ne e kemi për detyrë që kudo dhe gjithmonë ta themi të Vërtetën.

E vërteta është se muslimani nuk mund të jetë analfabet. E vërteta është se muslimani nuk mund të jetë i parregullt. E vërteta është se muslimani nuk mund të jetë i korruptuar. E vërteta është se muslimani nuk mund të jetë përtac. E vërteta është se muslimani nuk mund të jetë i pabesueshëm dhe i pasigurt në besë. E vërteta është se muslimani nuk mund të jetë në konflikt me muslimanin. E vërteta është se muslimani nuk mund të jetë neglizhent ndaj familjes dhe edukimit të fëmijëve. E vërteta është se muslimani nuk mund të jetë i padëgjueshëm ndaj prindërve. E vërteta është se muslimani nuk mund t’i mbyllë sytë para vuajtjes dhe varfërisë së bashkëqytetarëve të tij.

Kur e pranoi Islamin, Omeri (r.a.) e pyeti të Dërguarin (savs): “A është kjo që ne jetojmë e Vërteta, ndërsa ajo që jetojnë politeistët e pavërteta?” I Dërguari (savs) tha: “Po.” Atëherë Omeri (r.a.) tha: “Përse atëherë të fshihemi?”

A është e Vërteta ajo drejt së cilës na çon Hixhreti? Po, është.Atëherë pse hezitojmë dhe nuk nisim rrugën e Hixhretit tonë? Nga qortimi i kujt duhet të frikësohemi, kur jetojmë dhe promovojmë vlerat universale që përmban fjala Hixhret? Nga qortimi dhe kundërshtimi i kujt u frikësua Omeri (r.a.), kur dëshironte t’ua shpallte të Vërtetën të tjerëve pranë Qabes? Nga askush. Ai synoi kënaqësinë e Allahut dhe e arriti atë.

Hixhreti është fluturim drejt së Vërtetës, ndërsa të ecësh në atë rrugë do të thotë të hysh në shoqërinë e Omerit (r.a.).

O Allahu i Madhërishëm! Na ndihmo ta nisim me vendosmëri rrugën e Hixhretit tonë, ta jetojmë të Vërtetën dhe t’ua ofrojmë atë edhe të tjerëve!Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK