Connect with us

OP / ED

Nga parashutat e xhaxhit Enver te gurët e Tetovës

Publikuar

Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Në teatrin absurd të Edi Ramës, 35-vjetori i Partisë Socialiste nuk mund të festohej ndryshe përveçse me një propagandë të përmasave ballkanike. I mbyllur në bunkerin e tij mediatik dhe i rrethuar nga duartrokitjet e detyruara të oborrtarëve, “Sulltani i Surrelit” sulmoi Tetovën dhe Kosovën.

Kryeministri pretendon se ka zbuluar një komplot të ri gjeopolitik: gurët e Tetovës dhe të Kosovës po dëmtojnë sezonin turistik të Vlorës!

Sa shpejt zgjohet instinkti i xhaxhit Enver kur pushteti ndjen rrezik. Kur qytetarët ngrihen kundër dyshimeve të bazuara për një korrupsion galopant në projektet e Vlorës, ku betoni dhe pastrimi i parave fshihen pas maskës së “zhvillimit”, Rama gjen menjëherë armikun e jashtëm.

Enveri shihte diversantë me parashutë, ndërsa Edi sheh tetovarë e kosovarë me gurë në xhep që ecin bulevardeve për t’u prishur rehatinë oligarkëve të tij.

Nuk ka asgjë më komuniste sesa të shpallësh armik të jashtëm cilindo që guxon të vërë në dyshim tenderët sekretë dhe aferat që vijnë erë hajdutëri. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar një ndarje artificiale mes shqiptarëve dhe për të fshehur dështimet qeverisëse pas një patriotizmi të rremë turistik.

Por, ku dhemb në të vërtetë? Pse pikërisht Tetova dhe Kosova?

Përgjigjja është e thjeshtë: shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë nuk e hanë më sapunin për djathë. Përderisa Rama sillet si avokat i Vuçiqit duke e parë Ballkanin përmes syzeve të Beogradit, Tetova dhe Kosova mbrojnë boshtin kombëtar.

Për Ramën, xhentilesat me Serbinë janë “modernitet”, ndërsa solidariteti mbarëshqiptar i Kosovës dhe Tetovës është “prapambetje” që dëmton turizmin.

Është jonormale që një kryeministër shqiptar të sulmojë Tetovën dhe Kosovën për të mbrojtur aferat e dyshimta të Vlorës. Turizmi nuk dëmtohet nga protestat e qytetarëve të ndershëm. Turizmi dhe shteti shqiptar vdesin nga korrupsioni që i ka zënë frymën vendit, nga pastrimi i parave dhe nga aleancat antikombëtare ballkanike.

Nga Tetova e universiteteve dhe e qëndresës, mesazhi për Edi Ramën është i qartë: gurët tanë janë gurë të themelit kombëtar, jo të propagandës sate!

Ruaje Vlorën nga korrupsioni yt, sepse nga shqiptarët nuk ke pse frikësohesh, përveç nëse llogaritë e tua nuk përputhen me Shqipërinë, por me “Botën Serbe”.

Në vend që të japë llogari para drejtësisë për hajdutërinë galopante që po zbraz xhepat e qytetarëve, Kryeministri zgjedh të bëjë viktimën e një “sulmi ballkanik”. Kjo është një shfaqje e pështirë ku fajtori mbetet gjithmonë dikush tjetër. Vetë ai qëndron mbi fron, i larë nga çdo mëkat, duke pritur sezonin turistik të radhës mbi kurrizin e një populli të vjedhur.

Nuk janë gurët e Tetovës dhe të Kosovës ata që po bllokojnë të ardhmen e Shqipërisë, por thasët me para të korrupsionit qeveritar që pastrohen në kullat e Tiranës dhe të bregdetit.

(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)

NA NDIQ NË FACEBOOK