Connect with us

Lajme

Murtezani i përgjigjet Osmanit: Ditë të zeza për shqiptarët kanë qenë gjatë qeverisjes së BDI-së

Publikuar

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hashim Murtezani nga VLEN-i, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, i cili vendimin e Gjykatës Kushtetuese për emërtimet e rrugëve në Tetovë e cilësoi si “ditë të zezë për shqiptarët”, transmeton Zyrtare.net

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murtezani ka thënë se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë se sot, ndërsa sipas tij, “ditët e zeza” po i përjeton vetëm BDI-ja në opozitë.

“Shqiptarët kur s’kanë qenë më mirë sesa sot, ditë të zeza ka vetëm për BDI-në në opozitë. BDI-ja shumë zi e shumë rëndë po e përjeton opozitën dhe asesi nuk mund të adaptohet”, ka shkruar Murtezani.

Ai ka numëruar një sërë ngjarjesh dhe rastesh që kanë ndodhur gjatë periudhës kur BDI ishte pjesë e pushtetit, duke përmendur rastet “Sopoti”, “Monstra”, “Alfa”, ngjarjet në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, 27 Prillin në Kuvend, si dhe çështje të tjera që sipas tij kanë dëmtuar interesat e shqiptarëve.

Murtezani ka kritikuar gjithashtu BDI-në për moszgjidhjen e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së, përkrahjen e Ligjit për “Branitellat”, projektin “Shkupi 2014”, tekstet shkollore me përmbajtje anti-shqiptare dhe çështje të tjera që, sipas tij, kanë karakterizuar periudhën e qeverisjes së kësaj partie.

Në fund të reagimit, ai ka akuzuar BDI-në se nuk e ka shqetësim interesin e shqiptarëve, por humbjen e pushtetit pas më shumë se dy dekadash në qeveri.

“Ju nuk e keni hallin e shqiptarëve, ju keni vetëm një hall: nuk mund të pajtoheni me faktin që vetëm për dy vite opozitë e keni humbur pashallëkun tuaj për 22 vite që e keni shijuar”, ka përfunduar Murtezani.

NA NDIQ NË FACEBOOK