Lajme
Murtezani: Ahmeti po përsërit narrativën e rikthimit në pushtet, por duhet të japë llogari për heshtjen gjatë qeverisjes së BDI-së

Zëvendëssekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani, ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të BDI, Ali Ahmeti, duke e akuzuar atë se vazhdon të përsërisë të njëjtën narrativë për rikthimin e partisë në pushtet.
Në një postim publik, Murtezani tha se Ahmeti në tubimin e mbajtur në Zhelinë “u shfaq në rolin e Babë Vangjës”, duke parashikuar zgjedhje të parakohshme dhe rikthimin e BDI-së në qeveri. Sipas tij, kjo është një retorikë që përsëritet sa herë që një parti përballet me rënie të mbështetjes politike.
Murtezani hodhi poshtë edhe akuzat e Ahmetit ndaj koalicionit VLEN, duke theksuar se kritikat për heshtje janë të pabazuara kur vijnë nga një politikan që, sipas tij, për më shumë se dy dekada ka qenë pjesë e pushtetit.
Ai përmendi një sërë ngjarjesh dhe procesesh që kanë ndodhur gjatë periudhës së qeverisjes së BDI-së, përfshirë Enciklopedinë e kontestuar, projektin “Shkupi 2014”, rastet Sopoti, Brodeci, Alfa, Monstra, Harun Aliu dhe ngjarjet e Kumanovës, duke argumentuar se përgjegjësia politike për ato zhvillime bie mbi pushtetin e asaj kohe.
“Para se të akuzojë të tjerët për heshtje, Ali Ahmeti duhet të japë llogari për heshtjen e tij kur shqiptarët kërkonin zë, mbështetje dhe drejtësi”, shkruan Murtezani.
Në fund të reagimit, ai theksoi se trimëria politike nuk matet me fjalime nga opozita apo me parashikime zgjedhore, por me gatishmërinë për të mbrojtur qytetarët dhe interesat e tyre gjatë ushtrimit të pushtetit.
















