Lajme
Kasami dhe Mexhiti në Gostivar: VLEN hyn në fazë konsolidimi dhe fuqizimi organizativ

Bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, kanë zhvilluar një takim në Gostivar me aktivin e VLEN-it, ku është diskutuar organizimi i brendshëm i subjektit politik pas bashkimit të partive në një strukturë të vetme.
Në njoftimin e publikuar, ata theksojnë se gjatë takimit është biseduar edhe për aktivitetet e qeverisë, mbështetjen ndaj komunave përmes financimit të projekteve kapitale, si dhe për zgjidhjen e problemeve që, sipas tyre, kanë mbetur të pazgjidhura për më shumë se dy dekada.
“VLEN po hyn në një fazë konsolidimi, fuqizimi dhe organizimi strukturor. Më e organizuar, më e vendosur, më afër qytetarit”, thuhet në mesazhin e përcjellë nga takimi.
Nga VLEN vlerësojnë se procesi i riorganizimit të brendshëm do të shërbejë për forcimin e strukturave partiake dhe afrimin më të madh me qytetarët në të gjitha komunat.


















