Lajme
E kërkuan për 3 orë si të mbytur në det, burri nga Kosova u gjet rehat në kafene!

Për më shumë se tre orë, forcat e kërkim-shpëtimit, policia dhe pushues të shumtë u angazhuan në kërkimin e një personi nga Kosova, për të cilin dyshohej se ishte mbytur në detin e Shëngjinit.
Situata shkaktoi panik dhe mobilizim të menjëhershëm, ndërsa familjarët dhe të pranishmit druheshin për më të keqen.
Por, kur të gjithë prisnin lajme dramatike nga operacioni i kërkimit, erdhi kthesa që askush nuk e imagjinonte: personi në fjalë u gjet shëndosh e mirë… duke pirë kafe në një lokal të zonës!
Sipas informacioneve, ishte bashkëshortja e tij ajo që, pas orësh ankthi dhe kërkimesh intensive, e gjeti ulur qetësisht në kafiteri, larg zhurmës së aksionit që ishte ngritur për ta gjetur.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe komente të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit me humor ironizuan episodin duke e quajtur “operacioni më i suksesshëm i kërkim-shpëtimit për një njeri që nuk kishte humbur kurrë”.
Fatmirësisht, gjithçka përfundoi pa pasoja dhe personi u kthye pranë familjes i padëmtuar, ndërsa Shëngjini mori edhe një histori të pazakontë për sezonin turistik të këtij viti./indeksOnline




















