OP / ED
Deputetët e Tik-tokut të BDI-së

Shkruan: Bekim Qoku
Dje ishte një ditë e ngarkuar pune për Grupin Parlamentar të VLEN-it. Ditën e nisëm që në orën shtatë e gjysmë dhe, me një ritëm të pandalshëm, e përfunduam pasi kishim humbur numrin e orëve. Përgatitja për konferencën e shtypit të parashikuar për në dhjetë na zuri të gjithë mendjen e zemrën.
Pas saj, me vetëm gjysmë ore në mes për të marrë frymë, hymë në seancën e Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ku diskutuam për propozim ligjin që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Një ligj i rëndësishëm për komunitetet që nuk përbëjnë shumicën, i cili përcakton nëse do të miratohet me parimin e Badenterit të madh apo të vogël. Rëndësia e këtij ligji ndihej në ajër, e shtrirë si hije mbi çdo fjalë.
Menjëherë më pas, në një rrokopujë të vërtetë, Komisioni për Sistemin Politik nisi punën në orën një. Prapë u gjeta aty si anëtar, ndërsa në sallën tjetër Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime intervistonte kandidatë për Komisionin për Mbrojtje nga Diskriminimi. U ndjeva i ndarë më dysh, i pranishëm në dy vendime njëherësh.
Pata kënaqësinë ta propozoja dhe më pas ta uroja z. Ismail Sinani si anëtar të ri të këtij komisioni, një nder për përbërjen e Komisionit dhe për ne si qytetarë.
U ktheva në sallën ku vazhdonte debati për ligjin. Një deputet opozitar foli gjatë. Pasi mbaroi fjalën, mori letrat që kishte shpërndarë para vetes dhe u largua. Në sallë mbeti vetëm një deputet i opozitës shqiptare nga komuniteti turk, i fundit në radhë për të marrë fjalën. Edhe pse ora kishte kapërcyer mbrëmjen, ai foli më shumë se një orë, ose kështu m’u duk mua. Dhe kur më në fund mbaroi, për çka arriti të na gëzojë, erdhi koha e votimit.
Por në momentin e votimit nuk kishte mbetur asnjë anëtar i opozitës shqiptare. Nga gjithë deputetët opozitarë të shqetësuar se po shembet Marrëveshja e Ohrit e që derdhën fjalë e polemika më herët, tani aty ishte vetëm ai deputet i komunitetit turk.
Procesverbali nuk regjistroi asnjë votë kundër propozim ligjit. Të lodhur gjatë ditës, anëtarët shqiptarë të opozitës nuk ishin më. Ishin nisur për të ekstraktuar kush më shpejt fjalimet e tyre për t’i postuar në Facebook.
Vijoi pika e tretë dhe e fundit e rendit të ditës. Ishte kërkesa jonë për debat publik parlamentar mbi ligjin. Kishte për qëllim të shtjellonte më hollësisht projektin, duke ftuar ekspertë e profesionistë që të flisnin dhe debatonin rreth tij. Por edhe në këtë pikë, nga radhët e opozitës, nuk ishte i pranishëm asnjë deputet shqiptar anëtar i komisionit. Vetëm deputeti turk që nuk ishte as anëtar po rrinte aty.
Kështu, në sallat e Kuvendit, shpesh shohim më shumë teatër dhe spektakël nga opozita sesa përkushtim ndaj procesit. Posa e mbyllin fjalën, nisin vrapin drejt serverit të Kuvendit për të siguruar videon që do të ngarkojnë në TikTok, Facebook apo Instagram. Votimet, Badenteri, parimet, të gjitha ata që i dëgjojnë qytetarë, i lënë pas dore në emër të pëlqimeve virtuale, Like-ve të FB. Kështu u shkoi votimi i propozim ligji që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, në heshtje, pas gjithë atyre fjalimeve të zjarrta e me pasion teatral që tani mbeten vetëm si fragmente imazhesh patetike në rrjetet sociale në formë të performancave aktoriale.
Ky është vetëm një epizod i serialit “BDI, në rolin e ‘shqetësimit’ për interesat shqiptare”. Me shpresën e tyre të përhershme se shqiptarët e gjorë harrojnë.





















