Connect with us

Lajme

Debreshi reagon ashpër ndaj Taravarit: Kërkohet falje publike që i quajti protestuesit “persona narkotikë”

Publikuar

Shoqata Debreshi, Forumi Rinor i Debreshit dhe Këshillat e Xhamive të Debreshit kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së ish-kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili në një emision televiziv ka pretenduar se në protestën paqësore për çështjen e ujit të pijshëm kanë marrë pjesë persona të lidhur me narkotikë.

Në një deklaratë publike, këto organizata e kanë cilësuar deklaratën si të rëndë dhe fyese për banorët e Debreshit, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendbanim me mbi 6.000 banorë që prej më shumë se dy dekadash përballet me problemin e mungesës së ujit të pijshëm.

“Ky është një pretendim i papranueshëm ndaj qytetarëve të Debreshit, të cilët prej më shumë se 20 vitesh kërkojnë zgjidhje për furnizimin me ujë të pijshëm përmes mjeteve demokratike dhe paqësore”, thuhet në reagim.

Shoqata Debreshi, Forumi Rinor dhe Këshillat e Xhamive kërkojnë nga Taravari që të kërkojë falje publike dhe të sqarojë deklaratën e tij, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së procedurave ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe reputacionit të qytetarëve të Debreshit.

Ata theksojnë se banorët do të vazhdojnë kërkesat e tyre për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në mënyrë demokratike, të qetë dhe të organizuar.

NA NDIQ NË FACEBOOK