Lajme
Azizi: Mos prekni heronjtë e luftës, Tahir Sinani mbetet simbol i lirisë kombëtare

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ndaj deklaratave që, sipas tij, synojnë të njollosin figurat e luftës shqiptare, duke theksuar se është e papranueshme që komandanti Tahir Sinani të cilësohet si “mercenar”.
Në një reagim publik, Azizi tha se pasioni për pushtet shpesh i shtyn njerëzit të sulmojnë edhe figurat më të respektuara të kombit, duke e cilësuar këtë si përdhosje të rëndë dhe varfëri morale e kombëtare.
“Mosni bre burra, mos prekni heronjtë e luftës”, shkroi Azizi, duke theksuar se Tahir Sinani ishte luftëtar i lirisë që mori pjesë në tri luftëra për çështjen shqiptare dhe se ai nuk luftoi për privilegje apo poste, por për idealin e lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Sipas tij, përpjekjet për të rishkruar historinë dhe për të njollosur ata që sakrifikuan për kombin janë të rrezikshme, pasi relativizojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar respekti kombëtar.
Azizi vlerësoi se Tahir Sinani mbetet një nga figurat më të respektuara të rezistencës shqiptare dhe një simbol i përkushtimit ndaj lirisë, duke shtuar se veprat e tij janë të shkruara në histori dhe në kujtesën e popullit.
“Herojtë mund të sulmohen, mund të shpifen dhe mund të baltosen përkohësisht, por sakrifica e tyre mbetet më e fortë se çdo propagandë dhe më e qëndrueshme se çdo pushtet kalimtar”, theksoi deputeti i VLEN-it.
















