Lajme
Asambleisti shqiptar në Zvicër, Gadaf Muharemi ngre në Parlament çështjen e Zvërnecit dhe Sazanit: Mbrojtja e biodiversitetit është përgjegjësi e përbashkë

Asambleisti shqiptar në Zvicër, Gadaf Muharemi, ka ngritur në Parlament shqetësimin për mbrojtjen e zonave natyrore të Zvërnecit, Sazanit dhe Lagunës së Nartës, duke theksuar se ruajtja e biodiversitetit nuk është vetëm çështje e Shqipërisë, por përgjegjësi e përbashkët evropiane.
Në fjalimin e tij, Muharemi tha se prej ditësh shumë qytetarë në Shqipëri, veçanërisht të rinj, po protestojnë për të ardhmen e këtyre zonave natyrore, ndërsa bëri të ditur se edhe në Cyrih është mbajtur një protestë për të njëjtën çështje.
Ai vuri në pah rëndësinë ekologjike të Lagunës së Nartës, duke e cilësuar atë si një nga ligatinat më të rëndësishme të rajonit të Adriatikut dhe habitat për shumë specie të rralla shpendësh. Muharemi përmendi flamingot, të cilat sipas tij janë bërë simbol i protestave të ditëve të fundit, si dhe pelikanin kaçurrel, një nga speciet më të rrezikuara në Evropë.
“Për flamingot dhe pelikanët, kjo nuk është as Shqipëri e as Evropë, por shtëpi”, theksoi ai.
Muharemi nënvizoi se diskutimi nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e disa specieve të veçanta, por me ruajtjen e një ekosistemi të ndjeshëm dhe të pazëvendësueshëm, i formuar gjatë shekujve. Sipas tij, natyra nuk njeh kufij dhe biodiversiteti i mbrojtur në Shqipëri është pjesë e trashëgimisë natyrore që lidh gjithë Evropën.
Duke folur për zhvillimin ekonomik, asambleisti shqiptar theksoi se ai është i nevojshëm, por paralajmëroi se disa vlera natyrore, pasi humbin, nuk mund të rikthehen më.
Në fund të fjalimit, Muharemi përgëzoi angazhimin paqësor të qytetarëve për mbrojtjen e natyrës dhe shtroi pyetjen se çfarë bote do t’u lihet brezave të ardhshëm, duke bërë thirrje për ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e habitateve të rralla natyrore.



















