Connect with us

Sport

Armend Alimi i jep fund karrierës si futbollist profesionist

Publikuar

Ish-reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut dhe një nga futbollistët më të njohur shqiptarë në vend, Armend Alimi, ka njoftuar tërheqjen nga futbolli aktiv, duke i dhënë fund një karriere më shumë se 20-vjeçare, raporton Zyrtare.net

Përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, Alimi tha se ka ardhur momenti të mbyllë një kapitull shumë të rëndësishëm të jetës së tij, pas dekadash të mbushura me sakrifica, pasion, fitore, humbje dhe emocione të paharrueshme.

Ai kujtoi rrugëtimin e tij futbollistik që nisi te KF Bashkimi, klub ku hodhi hapat e parë, ndërsa më pas veshi fanellat e disa skuadrave brenda dhe jashtë vendit, përfshirë KF Milano Kumanovë, NK Istra 1961, Örebro SK, Nea Salamis Famagusta FC, Ermis Aradippou FC, KF Shkëndija, FK Rabotnički dhe KF Besa Dobërdoll.

Alimi veçoi periudhën te KF Shkëndija, të cilën e cilësoi si shtëpinë e tij të dytë dhe vendin ku arriti sukseset më të mëdha në karrierë.

Në mesazhin e tij, ai shprehu krenari edhe për paraqitjet me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, ndërsa falënderoi familjen, trajnerët, bashkëlojtarët, drejtuesit e klubeve dhe tifozët që e mbështetën gjatë gjithë karrierës.

“Po largohem nga fusha me zemrën plot krenari dhe mirënjohje. Edhe pse mbyllet karriera ime si lojtar, dashuria ime për futbollin nuk do të përfundojë kurrë”, shkroi Alimi.

Me këtë vendim, një nga mesfushorët më të spikatur shqiptarë të viteve të fundit mbyll një kapitull të rëndësishëm të futbollit në Maqedoninë e Veriut./Zyrtare.net/

NA NDIQ NË FACEBOOK