Connect with us

Lajme

Arben Fetai dorëzon dorëheqjen: Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër

Publikuar

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka njoftuar se i ka dorëzuar kryeministrit dorëheqjen e tij nga funksioni që ka ushtruar gjatë dy viteve të fundit.

Në një postim publik, Fetai theksoi se gjatë mandatit të tij ka punuar për reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, duke e cilësuar këtë mision si të rëndësishëm, por njëkohësisht edhe sfidues.

Ai pranoi se nuk është plotësisht i kënaqur me të gjitha rezultatet e arritura, por nënvizoi se ka punuar me përkushtim maksimal për të vendosur themele të qëndrueshme për avancimin e mëtejshëm të reformave.

“Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze”, shkroi Fetai.

Në mesazhin e tij, ai falënderoi ekipin, bashkëpunëtorët, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët për mbështetjen gjatë mandatit të tij.

Fetai theksoi se angazhimi për interesin publik nuk përfundon me largimin nga funksioni, duke shtuar se do të vazhdojë të kontribuojë kudo që ka nevojë për integritet, kurajë dhe zëra të lirë në mbrojtje të së mirës së përbashkët.

Ai ka bërë të ditur se letra e plotë e dorëheqjes është publikuar bashkë me njoftimin e tij.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK