Connect with us

OP / ED

Ahmeti rikthehet në Kumanovë me hijen e serbishtes, 16 vite pas zyrtarizimit shfaqet krah këshilltarit të BDI që mbështeti vendimin

Publikuar

SHKRUAN: Gëzim Mehmeti

Ali Ahmeti duket se ka rikthyer një plagë të vjetër politike në Kumanovë. Vetëm pak orë pas vizitës së tij në qytet, reagimet nuk kanë munguar, sidomos pas publikimit të një fotografie ku lideri i BDI-së shfaqet krah Zija Saitit, ish-këshilltar komunal i BDI-së dhe një nga njerëzit që ishte pjesë e përbërjes së Këshillit Komunal në periudhën kur u zyrtarizua gjuha serbe në Kumanovë.

Fotografia ka rikthyer në qendër të debatit një nga vendimet më të diskutueshme të BDI-së në këtë komunë. Në vitin 2010, me vulën e BDI-së, gjuha serbe fitoi status zyrtar në Komunën e Kumanovës, ndonëse serbët përbënin vetëm rreth 6.5 për qind të popullsisë së qytetit.

Sot, 16 vite më vonë, Ahmeti rikthehet në Kumanovë për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve, por për shumë kumanovarë vizita e tij ka hapur pyetje që ende nuk kanë marrë përgjigje. A është kjo një vizitë e zakonshme politike apo një provokim për shqiptarët që nuk e kanë harruar vendimin me të cilin BDI kontribuoi në zyrtarizimin e serbishtes në komunë?

Fakti që Ahmeti zgjodhi të fotografohej pikërisht me Zija Saitin ka shtuar edhe më shumë dilema e një ng ato është se kjo fotografi a ësh një rikujtim i periudhës kur BDI jo vetëm që nuk e kundërshtoi, por u bë pjesë e procesit që solli gjuhën serbe në institucionet komunale të Kumanovës.

Pyetja që vazhdon të shtrohet është e thjeshtë-si është e mundur që BDI gjeti vullnet politik për zyrtarizimin e gjuhës serbe në një komunë ku serbët ishin vetëm 6.5 për qind e popullsisë, ndërsa sot paraqitet si mbrojtësja më e madhe e interesave kombëtare shqiptare?

Ironia politike qëndron në faktin se Ahmeti po kërkon besimin e të njëjtëve qytetarë të Kumanovës, të cilëve partia e tij ua solli serbishten në institucionet. Për këtë arsye, prej mbrëmë në opinion po qarkullon një pyetje që vazhdon të mbetet pa përgjigje nga ana e BDI:
A po vjen Ali Ahmeti në Kumanovë për t’i bindur qytetarët, apo për t’ua kujtuar edhe një herë vendimin e vitit 2010, kur me vulën e BDI-së u zyrtarizua gjuha serbe në qytetin e tyre?

SHËNIM: Shkrimet në kategorinë OPINIONE nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qendrimet e redaksisë.

NA NDIQ NË FACEBOOK