Lajme
Adnan Azizi: Ja disa të vërteta për zullumin e BDI-së

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar me akuza të ashpra ndaj BDI-së, duke thënë se kjo parti për vite me radhë e ka keqpërdorur çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat për qëllime politike.
Në një postim publik, Azizi thekson se BDI-ja ka ndikuar në degradimin e debatit publik, duke pretenduar se deri aty ka shkuar ndikimi i saj sa që “edhe gratë profesoresha” janë shtyrë të përdorin fjalor fyes dhe ofendues në komunikimin publik.
Ai rikujton se Komisioni për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i udhëhequr nga BDI për vite me radhë, sipas tij nuk ka mbajtur asnjë mbledhje për avancimin e përfaqësimit të shqiptarëve.
“Për ta, përfaqësimi ka shërbyer vetëm si slogan dhe propagandë politike, jo si kauzë reale”, shkruan Azizi.
Deputeti i VLEN-it shton se akuzat për keqpërdorime dhe vjedhje janë ngritur me argumente dhe fakte konkrete, ndërsa, sipas tij, përgjigjja e BDI-së ka qenë vetëm përmes arsyetimeve dhe relativizimit të aferave, transmeton Zyrtare.
Në reagimin e tij, Azizi përmend edhe disa raste që, sipas tij, mbeten pa përgjigje nga BDI-ja, si “Maxhar Telekomi”, “Soravia”, “rasti i pacientit”, “Lotaria” dhe afera të tjera të lidhura me periudhën e qeverisjes së kësaj partie.
Në fund, ai akuzon BDI-në për manipulim të opinionit publik, duke theksuar se qytetarët tashmë e njohin veprimin e saj politik dhe nuk i besojnë më.
















