Lajme
Adnan Azizi: Historia nuk duhet të përdoret si armë politike, kontributet në luftë nuk zhbëhen nga qëndrimet politike

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar për debatet e fundit që lidhen me figurat e luftës, duke bërë thirrje që historia të mos përdoret për përfitime politike dhe të mos mohohen kontributet e atyre që kanë dhënë sakrificë, transmeton Zyrtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Azizi shprehet se është shqetësuese tendenca për të zhvlerësuar kontributet e njerëzve në të kaluarën për shkak të pozicionimeve të tyre politike në të tashmen.
Duke iu referuar Dritan Goxhajt dhe babait të tij, gjeneralit Dilaver Goxhaj, ai thekson se secili ka të drejtë të mos pajtohet me qëndrimet e tyre politike, por, sipas tij, kjo nuk duhet të shërbejë si arsye për të mohuar apo sulmuar kontributin e tyre në luftë.
“Kontributi në luftë dhe vlerësimi i qëndrimeve politike pas saj janë dy çështje krejt të ndryshme. Dikë mund ta kritikosh ashpër për atë që thotë ose bën sot, por nuk ke të drejtë t’i fshish apo t’i shtrembërosh faktet historike”, shkruan Azizi.
Deputeti i VLEN-it vlerëson se nëse pranohet logjika e denigrimit të figurave të luftës sa herë që ndryshojnë rreshtimet politike, atëherë askush nuk do të mbetet i paprekur nga rishkrimi i historisë.
Në fund të reagimit të tij, Azizi thekson se historia nuk duhet të jetë “peng i politikës së ditës”, ndërsa shton se mohimi i historisë për interesa politike dëmton jo vetëm individët, por edhe kujtesën kombëtare dhe respektin për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për çështjen shqiptare.















