Connect with us

Shqipëri

A i është hequr vërtet “non grata” Sali Berishës?

Publikuar

Nga Altin Ketro

Nëse do të masësh fuqinë politike të një lideri që ka udhëhequr një vend, ajo vlerësohet më qartë në përballjen e tij të dytë elektorale. Fitorja e zgjedhjeve për herë të parë mund të ndodhë për shumë arsye e faktorë, qoftë për gabimet e atij që është në pushtet, qoftë për aftësitë e atij që konsiderohet sfidanti.

Kështu ndodhi me Sali Berishën në vitin 2005. Pavarësisht zullumeve të tij si President i Republikës, ku qershia mbi tortë mbetet ngritja e skemave piramidale që krijuan një mirëqenie të rreme e që më pas zhytën në mjerim e kaos një popull të tërë, ai arriti të rikthehej në pushtet, tashmë në rolin e kryeministrit, duke përfituar më së shumti nga një përçarje e fortë brenda kupolës socialiste. Kjo ishte ajo që i dha shtysën e fundit që i duhej për të provuar veten si kryeministër, rol të cilin, në fakt, e kishte ushtruar edhe gjatë viteve 1992-1997, pavarësisht se në letër ishte dikush tjetër.

Kureshtja ishte se si Sali Berisha do ta rikonfirmonte besimin e popullit pas një qeverisjeje katërvjeçare. Njësia matëse do të ishin zgjedhjet parlamentare të datës 28 qershor 2009.

Sali Berisha hynte në këto zgjedhje me tre bilance pozitive: lehtësimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian (janar 2008), anëtarësimin në NATO (prill 2009) dhe inaugurimin e Rrugës së Kombit (qershor 2009). Në ato zgjedhje ai hyri me një koalicion prej 16 partish politike, ndërkohë që socialistët në opozitë kishin vetëm 5 parti në koalicion.

Por në zgjedhjet e vitit 2009, Sali Berisha nuk mori më shumë se 70 mandate si koalicion. Si përqindje, koalicioni i tij mori 46.92%, vetëm 1.58% më shumë sesa Partia Socialiste. Ishin zgjedhjet ku Berisha aplikoi edhe modelin “Ruzhdie”, ku votuan individë që ditën e zgjedhjeve nuk rezultonin fare në Shqipëri.

Ky ngërç solli një nga paradokset më të mëdha të pluralizmit. Sali Berisha u detyrua të fuste në qeveri Ilir Metën dhe LSI-në, forcën politike që e kishte goditur dhe anatemuar egërsisht përgjatë gjithë fushatës elektorale. Ky koalicion pragmatist, i ndërtuar mbi hallin e mbijetesës dhe jo mbi parimet, ishte dëshmia e parë e qartë se fuqia elektorale e Berishës kishte shteruar. Ai nuk qeveriste dot më i vetëm, por mbahej në pushtet përmes patericave politike.

Gjithsesi, e bëra këtë historik për të vënë në dukje një fakt. Ky lider, që në vitin 2009 ishte 65 vjeç, në kulmin e sukseseve të tij në aspektin ndërkombëtar dhe të një investimi madhor si Rruga e Kombit, i pasanksionuar fare nga Departamenti i Shtetit dhe nga Britania e Madhe, nuk arriti të siguronte dot shumicën qeverisëse me 71 mandate, si mundet që sot, në moshën 82-vjeçare, dhe nesër në vitin 2029, kur do të jetë 85 vjeç, të bëhet sërish kryeministër?!

Jo! Sali Berisha i ka mbyllur llogaritë me pushtetin që në vitin 2013, sepse refuzimi popullor ndaj tij kishte nisur të shfaqej që në vitin 2009 ku nuk u mandatua për herë të dytë si shumicë.

Është fyerje e madhe që të mos i njihet kjo meritë popullit shqiptar dhe t’i bëhet jehonë absurde një heqjeje të pjesshme të ndalimit të tij për të shkuar në SHBA, duke injoruar vendimmarrjen e sovranit prej tashmë 17 vitesh, dhe duke lidhur fatin e tij politik me sanksione apo vendime që marrin shtete të tjera, kushdo qofshin ato.