Connect with us

Religjion

Varri është shtëpia ku do të banojmë të gjithë

Publikuar

më

Akteve të adhurimit (ritualeve) u erdhi fundi, flijimet u flijuan, kurse haxhilerët këto ditë do të kthehen nga vendet e shenjta në vatrat e tyre, duke kaluar nga veprimet rituale në jetën e përditshme. Mirëpo, jeta e përditshme nënkupton gjithashtu shoqërimin e pandashëm me adhurimet dhe ruajtjen nga mëkatet. Gjatë ditëve të haxhillëkut dhe të Kurbanit, patëm mundësinë që, secili në mënyrën e tij të mundshme, të çlirohej nga mëkatet.

Ata që ishin në haxhillëk, u çliruan përmes haxhillëkut, sepse Pejgamberi savs thotë: „Kush e kryen haxhillëkun dhe nuk bën mëkate, do të kthehet i pastër sikur në ditën kur e lindi nëna.“ Ata që ishin në shtëpitë e tyre, u çliruan përmes kurbanit, sepse Pejgamberi savs thotë: „Me pikat e para të gjakut që pikon nga kurbani juaj, ju pastroheni nga mëkatet.“ Ndërsa ata që ishin pa haxhillëk dhe pa kurban, u çliruan përmes agjërimit të ditës së Arefatit, sepse Pejgamberi savs thotë: „Kush e agjëron ditën e Arefatit, do t’i falen mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit të ardhshëm.“

Këto ditë që i lamë pas ishin ditë të haxhillëkut, ditë të kurbanit, ditë të tekbireve të teshrikut, ndërsa Allahu i Plotfuqishëm na tregon se çfarë duhet të bëjmë kur këto ditë të përfundojnë: „Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër!“ (el-Bekare, 200).

Nga ritet që sapo përfunduan, morëm përkujtim për petkun që na pret, për të cilin vargu poetik thotë: „Kefenu libasun kul-lu nasin labisun“ (Qefini është petku që çdo njeri do ta veshë); si dhe për shtëpinë që na pret, për të cilën vargu poetik thotë: „El kabru darun kul-lu nasin dahilun“ (Varri është shtëpia në të cilën të gjithë njerëzit do të hyjnë). Atëherë kur qefini të jetë petku dhe varri të jetë shtëpia, disa njerëz do të jenë fitimtarë, kurse disa të tjerë të humbur: „Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët.“ (el-Mu’minun, 1). Cilët? Ata që jetojnë me adhurimet edhe pasi ritet të kenë përfunduar. Ata që e përmendin Allahun çdo ditë, dhe jo vetëm në ditë të caktuara. „Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët.“ (el-Mu’minun, 1). Ky është premtimi i Allahut; me kusht që: ta falin namazin çdo ditë, të japin nga pasuria e tyre brenda kufijve të mundësive, të mos i hulumtojnë të metat e të tjerëve, të vishen me moral të lartë, dhe t’i përmbushin me përgjegjësi amanetet e besuara…

Ashtu siç na urdhëron Allahu i Plotfuqishëm, që pas shoqërimit me Të në ritet e haxhillëkut ta përmendim Atë përsëri, edhe Pejgamberi savs aspiron për të njëjtën gjë kur thotë: „Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, sikur të ishit gjithmonë ashtu siç jeni kur ndodheni pranë meje dhe sikur ta kujtonit vazhdimisht Allahun, melekët do t’i shtrinin krahët e tyre mbi shtretërit tuaj dhe nëpër rrugët tuaja duke ju mbrojtur.“ (Muslimi).

Nga Ukbe bin Amiri r.a. transmetohet se Pejgamberi savs ka thënë: „Nuk ka asnjë kalorës (udhëtar) që në mendimet e tij është i preokupuar me Allahun dhe me kujtimin ndaj Tij, e që me të të mos jetë një melek.“ (Mexhme’u’z-Zeva’id).

„Ai që e përmend Zotin e tij dhe ai që nuk e përmend Atë, janë si i gjalli me të vdekurin.“ (Buhariu).

Hadithi në vijim vë në pah veçanërisht shpërblimin për ata që ndodhen në bollëk dhe mirëqenie, e megjithatë nuk e harrojnë Zotin: „Ata që do ta kujtojnë Allahun në shtretërit e tyre të rehatshëm, do të hyjnë në majat më të larta të Xhenetit.“ Mexhme’u’z-Zeva’id).

„Në të djathtë të Allahut do të jenë disa njerëz, që nuk janë as pejgamberë e as shehidë. Fytyrat e tyre do të ndriçojnë. Të tjerët do t’ua kenë zilinë për afërsinë që u është dhënë. ‘Kush janë këta njerëz?’ – pyetën sahabët. ‘Ata janë që tubohen për hir të përmendjes të Allahut’“ (Mexhme’u’z-Zeva’id).

„O Pejgamber çfarë dobie ka nga tubimet ku bëhet dhikër? Dobia është Xheneti, Xheneti.“ „E kush gjendet në një ndenjë ku nuk përmendet Allahu e as Pejgamberi savs, do të pendohet për këtë (do të ketë dëshpërim) deri në Ditën e Gjykimit.“ (Ebu Davudi).

Gjatë ditëve të Bajramit të Kurbanit, ne çdo ditë i kënduam tekbiret e teshrikut, e madhëruam Allahun e Plotfuqishëm, dhe përmes riteve u shoqëruam intensivisht me Të. Allahu i Lartësuar na urdhëron: „Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër!“ (el-Bekare, 200).

Që të jesh fitimtar atëherë kur qefini të jetë petku yt e varri shtëpia jote:

Ashtu siç u zgjove për Bajram, zgjohu çdo ditë për namazin e sabahut; ashtu siç e ndave kurbanin, dhuro çdo ditë brenda kufijve të mundësive të tua; ashtu siç e përhape selamin duke vizituar farefisin dhe fqinjët, bëje të njëjtën gjë çdo ditë; sepse të jesh besimtar nënkupton shoqërim të përditshëm me adhurimet dhe ruajtje të vazhdueshme nga mëkatet.

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që të Ta kushtojmë Ty çdo ditë tonën, sikur të ishte dita e fundit! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK