Shqipëri
SPAK thellon hetimet/ Ja lidhja midis Orest Sotës, Ergys Agasit dhe Klodjan Allajbeut

SPAK po thellon hetimet për dosjen e AKSHI-t, ndërsa në fokus të verifikimeve kanë hyrë jo vetëm personazhet e dyshuar si pjesë e skemës së ndikimit në tenderë, por edhe rrjeti i biznesmenëve dhe kompanive që dyshohet se kanë shërbyer për lëvizjen e aseteve dhe kanalizimin e interesave ekonomike të grupit.
Një nga emrat që ka dalë në pah gjatë javëve të fundit është biznesmeni i ndërtimit Orest Sota, i cili qëndroi për rreth pesë orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u mor në pyetje lidhur me raportet e tij me Ergys Agasin, aktualisht në kërkim.
Sipas burimeve pranë hetimit, SPAK po verifikon marrëdhëniet financiare dhe biznesore të Sotës me rrethin e Agasit, i cili dyshohet se drejtonte një strukturë influence brenda AKSHI-t, e përfshirë në orientimin e tenderëve publikë dhe presion ndaj kundërshtarëve ekonomikë.
Por ajo që po tërheq vëmendjen e hetuesve është edhe një zinxhir lidhjesh biznesore që bashkon emra të njohur të sektorit të ndërtimit dhe shëndetësisë private.
Dokumente të siguruara tregojnë se kompania “Forever Construction”, aktualisht në pronësi të Lefter Sotës, babait të Orest Sotës, ka qenë më herët në pronësi 100% të biznesmenit Klodian Allajbeu. Kontrata e transferimit të kuotave mes Allajbeut dhe Lefter Sotës është firmosur në vitin 2021.
Kjo kompani rezulton më pas e përfshirë edhe në lëvizjen e aksioneve të “Fortis Beton”, kompani e lidhur me Orest Sotën, e cila sipas raportimeve është transferuar në një moment kur hetimet e SPAK po afroheshin pranë rrethit të biznesmenit.
Pikërisht ky detaj ka ngritur dyshime tek hetuesit mbi mundësinë e ristrukturimit të aseteve apo zhvendosjes së kontrollit të kompanive në prag të operacionit të SPAK.
Në qendër të këtij rrjeti del një trekëndësh marrëdhëniesh:
Ergys Agasi – Orest Sota – Klodian Allajbeu,
i lidhur përmes kompanive, ortakërive dhe transaksioneve të biznesit.
Një tjetër element që ka shtuar interesin e hetuesve lidhet edhe me kontrollet e kryera nga SPAK në ambientet e Equos Resort, resort i lidhur me biznesmenin Klodian Allajbeu. Burime pranë hetimit kanë bërë me dije se kontrollet janë zhvilluar në kuadër të verifikimeve për llogari të Ergys Agasit dhe rrjetit të personave të afërt me të.
Hetimet po fokusohen tashmë jo vetëm tek procedurat e tenderëve të AKSHI-t, por edhe tek mënyra se si janë administruar investime në ndërtim, resorte turistike dhe prona të paluajtshme.
Orest Sota nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai u bë publik vite më parë pas arrestimit të tij në një automjet ku u gjetën 680 mijë euro cash dhe patentat e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, episod që shkaktoi një nga debatet më të forta politike të kohës.
Ndërsa SPAK po zgjeron hetimet, mbetet për t’u parë nëse lidhjet mes këtyre personazheve do të konsiderohen thjesht marrëdhënie biznesi apo pjesë e një strukture më të gjerë influence dhe përfitimi ekonomik rreth dosjes së AKSHI-t.


















