Connect with us

Religjion

Qabeja është ringjallje për njerëzit

Publikuar

“Robi Im, ti dëshiron një gjë, Unë dua një tjetër, dhe gjithmonë do të ndodhë ashtu siç dua Unë. Nëse i dorëzohesh asaj që Unë dua, Unë do të ta jap edhe atë që ti dëshiron. Por, nëse nuk i nënshtrohesh caktimit Tim, do të lodhesh duke kërkuar atë që ti dëshiron, e megjithatë do të ndodhë vetëm ashtu siç dua Unë.” – thotë Allahu i Lartësuar në një hadith kudsij.

Edhe pse shumë njerëz nga mbarë bota, nga të gjitha anët e largëta – min kulli fexhxhin amik – kanë dëshiruar ta kryejnë haxhillëkun, vullneti i Allahut është ndryshe. Përveç një pakice të vogël, askush nuk do të mund ta përmbushë këtë detyrë as këtë vit. Për ne, edhe për shumë pasues të të Dërguarit (savs), ky bajram, për fat të keq, nuk do të jetë edhe bajram i haxhillëkut, por vetëm bajram i kurbanit.

Kurbani është flijim që na afron tek Allahu, por edhe çdo vepër e mirë bën të njëjtën gjë. Çdo vepër e mirë na pasuron për takimin me Krijuesin, na furnizon me begati dhe na afron tek mëshira e Tij dhe kënaqësia e Tij.

Pavarësisht dëshirave tona, pavarësisht nijetit tonë, gjithçka është ashtu siç do Allahu, dhe Ai këtë vit ka dashur që të mos ketë rrugë të hapur e të sigurt që të shkohet musafir tek Ai dhe i Dërguari i Tij. Edhe pse haxhillëku nuk mund të kryhet, ata që edhe vitin e kaluar edhe këtë vit kishin bërë nijet të fortë për ta veshur ihramin, e edhe ata që nuk e kanë detyrë, të gjithë nga ritet e haxhillëkut mund dhe duhet të nxjerrin mesazh, frymëzim dhe mësim.

Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu e ka bërë Qabenë, Shtëpinë e Shenjtë, vend jetësimi për njerëzimin.” (El-Ma’ide, 97)

Ritet e haxhillëkut, përsiatja mbi thelbin e tyre dhe kuptimi i mesazhit që ato mbartin, mund të na ringjallin dhe të na forcojnë në udhën e së Vërtetës.

Farz i haxhillëkut është Ihrami. Kur vishet ihrami, njeriu quhet muhrim, që do të thotë njeri nën ndalim. Është e vërtetë – e dinë këtë ata që e kanë kryer haxhillëkun – se ihrami na vendos në gjendje të veçantë dhe na imponon ndalime të shumta, por ne nuk jemi vetëm gjatë ihramit të detyruar të largohemi nga gjynahet. Në çdo ditë të jetës sonë jemi të obliguar ta dëgjojmë dhe ta jetojmë mesazhin hyjnor që na urdhëron të shmangemi nga mëkatet dhe që, siç thotë i Dërguari (savs), devotshmërinë ta vërtetojmë duke u larguar prej tyre. Muhrimi nuk guxon të bëjë atë që në gjendjen jashtë ihramit është e lejueshme: nuk guxon të përdorë parfum, të rruhet, t’i presë thonjtë, t’i shqetësojë bimët apo kafshët, as nuk guxon të ketë mbi trup gjë tjetër përveç rrobave të ihramit. Kjo gjendje e ihramit i flet qartë njeriut dhe ia përcjell një mesazh të prerë: do të vijë një ditë kur njeriu nuk do të ketë me vete asgjë tjetër përveç veprave që ka bërë. Atë ditë nuk do të mund të krehesh, as të rruhesh, as të parfumohesh, por nëse je i furnizuar me vepra të mira, do të jesh i bukur dhe me aromë të këndshme; melekët dhe të gjithë banorët e qiejve dhe të Tokës do të gëzohen për shpirtin tënd që do ta mbajë aromën e mirë të devotshmërisë.
Edhe pse këtë vit askush nga ne nuk do ta veshë ihram, të gjithë, pa përjashtim, duke i pritur ditët e bajramit, mund ta kujtojmë qefinin, largimin nga kjo botë, dhe ta kuptojmë se atë ditë nuk do të ketë rëndësi kush ke qenë apo çfarë ke pasur, por çfarë ke bërë dhe në çfarë ke besuar.

Farz i haxhillëkutt është edhe Tavafi. Nuk është e domosdoshme ta shohësh Qaben, as të rrotullohesh rreth saj – të bësh tavaf – për ta kuptuar se gjithçka lëviz, se gjithçka i bindet Allahut, se gjithçka e madhëron Atë dhe se gjithçka, përveç Krijuesit, ka fillim dhe mbarim. Nuk është e domosdoshme ta bësh tavafin në shtatë rrotullime që ta kuptosh se jemi nxjerrë nga dheu, se aty ushqehemi dhe se në tokë do të kthehemi; dhe se, në të vërtetë, jeta jonë në këtë botë është një rreth që patjetër mbyllet atje ku ka filluar. Ne jemi nxjerrë nga dheu dhe në të do të kthehemi. Midis ardhjes dhe kthimit tonë, midis krijimit nga dheu dhe rikthimit në të, jeta jonë duhet të jetë plot adhurim, sepse: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më bëjnë ibadet.” (Edh-Dharijat, 56) Edhe pse këtë vit askush prej nesh nuk do ta përshëndesë Qabenë me tavaf, të gjithë ne mund dhe duhet të kuptojmë se, duke ecur mbi tokë, ne duhet ta jetojmë adhurimin ndaj Allahut, në mënyrë që, kur të pyetemi “Ku është kibla jote?” – të dimë të përgjigjemi.

Farz i haxhillëkut është edhe qëndrimi (vukuf). I Dërguari (savs) ka thënë: “Arafati është haxhillëk.” Në Arafat, Allahu i Lartësuar krenohet me të tubuarit atje dhe u thotë melekëve se do t’ua falë mëkatet, edhe sikur ato të jenë sa kokrrat e rërës së shkretëtirës. Nuk është e domosdoshme të arrish në Arafat që të çlirohesh nga gjynahet. Ka në mesin tonë, dhe kudo në ummet, shumë njerëz që nuk janë të obliguar të shkojnë atje, por që nuk janë lënë pa mundësinë e pendimit dhe pa shansin për t’u pastruar nga mëkatet. Allahu i Lartësuar thërret: “O ju që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë!” (Et-Tahrim, 8) Ashtu si ata që kthehen nga haxhillëku që përpiqen të jetojnë të rilindur, sepse – nëse e kanë kryer ashtu siç duhet – kthehen si të porsalindur, ashtu duhet të jetë edhe pas pendimit të sinqertë. “Allahu e ka bërë Qabenë, Shtëpinë e Shenjtë, vend jetësimi për njerëzimin.” (El-Ma’ide, 97)

O Allahu i Lartësuar, forcoje hapin tonë në rrugën e ringjalljes sonë. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përgatiti në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK