Lajme
Protesta e studentëve ndez debatin ne kampin politik shqiptar

Në prag të protestës së studentëve shqiptarë për provimin e jurisprudencës, që pritet të mbahet nesër pasdite në Shkup, skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut është përfshirë në një valë të re reagimesh dhe pozicionimesh, ku janë përfshirë dy kampet kryesore: VLEN dhe BDI, shkruan Zyrtare.net
Protesta, e cila ka si kërkesë kryesore zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ka mobilizuar studentë dhe organizatorë, ndërsa në ditët e fundit ka marrë edhe dimension politik.
Nga njëra anë, BDI, përmes eksponentëve të saj, ka shprehur mbështetje për protestën dhe ka nxitur pjesëmarrje masive në të, duke e paraqitur atë si një reagim qytetar të drejtë dhe të domosdoshëm.
Nga ana tjetër, eksponentë të lartë të koalicionit VLEN kanë dalë me deklarata publike duke shprehur mbështetje për kërkesat e studentëve, ndërsa kanë paralajmëruar se “shumë shpejt do të ketë zgjidhje” dhe se do të vijnë “lajme të mira” në lidhje me këtë çështje.
Ky paralelizëm deklarativ mes dy kampeve politike është interpretuar si një garë për ndikim mbi një kauzë me ndjeshmëri të lartë publike, veçanërisht në mesin e studentëve dhe komunitetit shqiptar në vend.
Ndërkohë, protesta e paralajmëruar në Shkup ka tërhequr vëmendje edhe përtej kufijve, duke u përmendur në qarqe politike dhe mediatike në Tiranë dhe Prishtinë, çka i jep ngjarjes një dimension më të gjerë rajonal dhe politik.
Në këtë kontekst, protesta e studentëve nuk shihet më vetëm si një çështje akademike apo teknike, por si një ngjarje që po ndikon drejtpërdrejt në narrativat politike dhe konkurrencën mes dy blloqeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut./ZYRTARE.net/













