Religjion
O besimtar jepni nga të mriat që keni fituar!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavate dhe selame mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.
Vëllezër të dashur!
Tema e hutbes së sotme është: “O besimtarë, jepni nga të mirat që keni fituar!”
Allahu i Plotfuqishëm u bën thirrje besimtarëve:
“O besimtarë! Jepni nga të mirat që keni fituar ju dhe nga ato që ua kemi dhënë Ne prej fryteve të tokës. Mos dhuroni nga ato gjëra të pavlefshme të pasurisë suaj, të cilat ju nuk do t’i pranonit ndryshe, përveçse me sy të mbyllur. Dhe dijeni se Allahu është i Pasur (i panevojshëm për asgjë) dhe i Denjë për çdo lavd.” (el-Bekare, 267)
Ibn Kethiri, në tefsirin e tij, thotë se në këtë ajet, me ndarjen e pasurisë është për qëllim sadakaja.
Sadakaja sjell përfitime të mëdha, meriton shpërblime të mëdha dhe ka ndikim të thellë. Ajo vendos gëzim në zemrën e dhuruesit dhe të marrësit.
Ibrahimi (a.s.) jepte nga më e mira që kishte. Dikush i tha se edhe më pak do të ishte e mjaftueshme, ndërsa ai u përgjigj: “Si mund ta kërkoj nga Allahu më të mirën dhe më të vlefshmen, duke dhënë nga ajo që tek unë është më e keqja dhe më e pavlefshmja?!”
Të dashur vëllezër!
Çdo gjë është e përkohshme, vetëm Allahu është i Përjetshëm. Prandaj, kur të përfundojë jeta e kësaj bote, kur njeriu ta shohë vdekjen me sytë e tij dhe të kuptojë atë që më parë nuk e ka kuptuar, ai do të thotë: “O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe për një kohë të shkurtër…” Pse? Që të falet? Që të agjërojë? Që të shkojë në haxh? Që të mbledhë më shumë pasuri? Jo! Ai do të thotë: “Do të kisha dhënë lëmoshë dhe do të bëhesha prej të mirëve!” (el-Munafikun, 9–10)
Dijetarët kanë thënë: “I vdekuri e përmend sadakanë vetëm për shkak se e sheh shpërblimin e saj pas vdekjes. Prandaj shtojeni sadakanë, sepse njeriu në Ditën e Gjykimit do të jetë në hijen e sadakasë së tij.”
Në këtë kontekst, Pejgamberi (savs) thotë: “Sadakaja e shuan zjarrin e Xhehenemit për ata që e japin, ndërsa besimtari në Ditën e Gjykimit do të ketë hije nga sadakaja e tij.”
Po ashtu thotë: “Kryerja e veprave të mira mbron nga përfundimi i keq dhe i vështirë; sadakaja e fshehtë e shuan zemërimin e Zotit, ndërsa mbajtja e lidhjeve farefisnore e zgjat jetën.”
Transmetohet nga hazreti Aishja (r.a.) se një njeri ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime ka vdekur dhe nuk ka lënë porosi. Unë mendoj se sikur të kishte mundësi të fliste, do të jepte sadaka nga pasuria e saj. A do të ketë ajo shpërblim nëse unë jap sadaka për të?” Ai u përgjigj: “Po, jep sadaka për nënën tënde.”
Një dijetar islam, duke treguar ëndrrën e tij, ka thënë: “Pashë në ëndërr një grup muslimanësh të vdekur. Të gjithë ishin të lumtur dhe të kënaqur, përveç një plaku mes tyre, i cili ecte pas tyre i pikëlluar dhe i brengosur.
E pyeta për arsyen e pikëllimit dhe ai më tha: ‘Këta po gëzohen sepse familjarët e tyre në dynja japin sadaka për ta dhe bëjnë vepra të mira, ndërsa për mua askush nuk e bën këtë.’
E pyeta: ‘A nuk ke askënd nga pasardhësit në dynja?’ Ai u përgjigj: ‘Kam një djalë që punon pranë një lumi si zbardhues pëlhurash.’
Kur u zgjova, shkova te lumi për të parë nëse ëndrra ishte e vërtetë. Dhe vërtet, aty pashë një djalë të ri duke punuar dhe duke përsëritur: ‘Vështirë, vështirë.’
E pyeta: ‘Çfarë do të thotë kjo?’ Ai tha: ‘Do të thotë se furnizimi im dhe i familjes sime është i pakët.’
I thashë: ‘Pse nuk jep sadaka për babanë tënd?’ Ai tha: ‘Nuk kam asgjë.’
Unë e nxita dhe i thashë: ‘Jep sadaka çfarëdo qoftë, edhe diçka të vogël.’ Ai u zemërua pak, pastaj mori tri herë ujë me dorë nga lumi dhe e hodhi në breg, duke thënë: ‘Kjo është sadaka ime për babanë tim.’
Natën tjetër e pashë përsëri plakun, por tani ishte i gëzuar. E pyeta: ‘Si je tani?’ Ai tha: ‘Ajo pak ujë që hodhi biri im më ka ndihmuar shumë. Ma largoi pikëllimin dhe brengën. Shpresoj që Allahu ta begatojë atë.’
U habita dhe i thashë: ‘Tre grushte ujë nuk kanë vlerë!’ Ai tha: ‘Kur biri im e hodhi ujin, në breg ishte një peshk që po vdiste. Uji e shpëtoi dhe ai u kthye në lumë. Për këtë vepër, Allahu më shpërbleu shumë.’”
Disa muaj më vonë, ai djalë u bë shumë i pasur.
Prandaj, vëllezër të dashur, mos e nënvlerësoni asnjë vepër të mirë, sado e vogël të duket, sepse ndoshta në të gjendet shpëtimi ynë.
Pejgamberi (savs) thotë: “Ruhuni nga zjarri, qoftë edhe me një gjysmë hurme; e nëse jo, atëherë me një fjalë të mirë.”
Transmetohet se Xhafer ibn Abdullahu kaloi pranë një pemishteje dhe pa një rob duke punuar. Një qen i uritur kaloi aty dhe robi i dha tri copa bukë që i kishte për vete.
Xhaferi e pyeti: “Çfarë të mbeti për ty?” Ai tha: “Asgjë. Ato i kisha për vete, por nuk munda ta lë qenin pa ushqim.” “Çfarë do të bësh tani?” “Do ta duroj urinë deri në mbrëmje.”
Atëherë Xhaferi bleu robin dhe pemishten, e liroi robin dhe ia dhuroi pemishten.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Vallë, a ka shpërblim për të mirën tjetër përveç së mirës?!” (err-Rrahman, 60)
O Allah, të lutemi na ndihmo!
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress)






















