Connect with us

Religjion

Nga Ibrahimi a.s. tek ne: Kuptimi i vërtetë i kurbanit

Publikuar

më

Hfz. Mehas Alija

Të dashur besimtarë, vëllezër dhe motra në islam!

Jemi në ditë të mëdha, ditë në të cilat zemra e besimtarit duhet të zgjohet më shumë se zakonisht. Po afrohet Kurban-Bajrami, kjo festë e madhe e sakrificës, festa e besimit, festa e afërsisë me Allahun dhe me njeriun.

Kurbani nuk është vetëm një traditë apo ibadet. Ai nuk është vetëm një therje e një kafshe. Sepse Allahu nuk ka nevojë për mishin tonë e as për gjakun tonë. Allahu dëshiron zemrën tonë. Allahu dëshiron sinqeritetin tonë. Dëshiron që njeriu të mësojë se nuk mund ta dojë Allahun pa e mposhtur egoizmin brenda vetes; pa i thyer ata zotra të remë në zemrën e tij.

Allahu i Madhërishëm thotë në Kur’anin famëlartë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por te Ai arrin devotshmëria juaj.” (Haxh, 37).

Pejgamberi a.s. në hadith thotë: “Nuk ka vepër më të dashur tek Allahu në ditën e Kurbanit sesa derdhja e gjakut të kurbanit. Ai do të vijë në Ditën e Kiametit me brirët, qimet dhe thundrat e tij, dhe gjaku i tij arrin tek Allahu para se të bjerë në tokë. Prandaj bëjeni kurbanin me zemër të mirë.” (Imam Tirmidhiu).

Prandaj historia e Ibrahimit a.s. nuk është histori e thikës, por është një histori e besimit, e imanit të vërtetë. Nuk është histori e humbjes, por histori e dorëzimit tek Allahu. Ibrahimi a.s. na mëson se njeriu bëhet i madh, jo atëherë kur merr shumë nga kjo botë, por kur është i gatshëm të sakrifikojë dhe të japë për hir të Allahut.

Të nderuar xhematlinj!

Bota jonë sot ka shumë zhurmë, por pak mëshirë. Ka shumë pasuri, por pak bereqet. Ka shumë njerëz që flasin për paqe, por pak zemra që ndiejnë dhimbjen e tjetrit. Pikërisht këtu vjen mesazhi i Kurbanit: që besimtari të mos jetojë vetëm për veten e tij.

Pejgamberi alejhis-selam na mësoi se besimtari i vërtetë nuk fle i ngopur kur fqinji i tij është i uritur. Po, vallë, si jeton ai kur prindi i tij është i uritur, kur ai ka mungesë dashurie dhe përkrahjeje, kur vëllai dhe motra e tij jetojnë në mjerim e vërfëri? Ndoshta një copë mish, një buzëqeshje, një vizitë apo një dorë ndihme mund të bëhet shkak për mëshirën e Allahut ndaj nesh.

Kur e ndan kafshatën me të varfrin, ti nuk po i jep atij vetëm mish, por po i jep dinjitet dhe shpresë. Kur troket në derën e një jetimi, ti nuk po i jep vetëm sadaka, por po e gezon një zemër të pikëlluar. Dhe ndoshta, pikërisht duaja e një njeriu të harruar nga bota, bëhet shkak që Allahu të të hapë dyert e mëshirës dhe të ndihmës.

Vëllezër të dashur!

Dita e Arafatit po afrohet. Është dita kur miliona haxhinj qëndrojnë para Allahut me lot në sy dhe me zemra të thyera. Arafati na kujton se njeriu, pa marrë parasysh pozitën apo pasurinë, në fund qëndron i vetëm para Allahut. Dhe lumturia e vërtetë nuk është të kesh shumë në duar, por të kesh paqe në zemër.

Prandaj, le ta presim festën e Bajramit me pendim, me falje dhe me pajtim. Le t’i pastrojmë zemrat nga urrejtja, gjuhët nga përgojimi dhe shtëpitë tona nga ftohtësia mes njëri-tjetrit.

Mos t’i harrojmë edhe tekbiret e teshrikut, sepse ato janë zëri i teuhidit në këto ditë të bekuara:

“Allahu Ekber, Allahu Ekber, la ilahe il-lAllahu ëallahu Ekber, Allahu Ekber ue lil-lahil hamd.”

Allahu na bëftë prej atyre që e kuptojnë urtësinë e Kurbanit, që sakrifikojnë për të vërtetën, që ndajnë me të tjerët dhe që e takojnë Bajramin me zemër të pastër.

Amin.

(Hutbeja e xhumasë, e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen, më 22.05.2026)

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK