Connect with us

Lajme

Murtezani: Iku koha e propagandës, VLEN përfaqëson shqiptarët me 107 mijë vota dhe 10 komuna

Publikuar

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, deklaroi se VLEN ka legjitimitet të plotë për përfaqësimin e shqiptarëve në qeveri, duke hedhur poshtë akuzat ndaj koalicionit për, siç tha ai, “servilizëm” dhe “shkelje të dinjitetit të shqiptarëve”.

Në një intervistë për KlanNews, Murtezani tha se VLEN ka ardhur në pushtet me mbështetje të fuqishme elektorale dhe se rezultatet në zgjedhjet lokale e dëshmojnë këtë.

“Ne kemi ardhur aty me 107 mijë vota shqiptare dhe jemi fitues absolut në zgjedhjet lokale. VLEN ka fituar në 10 komuna shqiptare, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbetur me dy komuna”, deklaroi ai.

Murtezani theksoi se për herë të parë janë ndarë 80 milionë euro për komunat shqiptare, si pjesë e procesit të decentralizimit dhe marrëveshjes qeveritare.

Ai shtoi se gjuha shqipe dhe simbolet kombëtare shqiptare respektohen në institucionet shtetërore dhe se të drejtat e shqiptarëve nuk janë të cenuara.

“Gjuha shqipe nuk preket, flamuri kombëtar është aty, dhe gardian i të drejtave të shqiptarëve është VLEN që është pjesë e qeverisë”, u shpreh Murtezani.