Lajme
Murtezani: BDI-ja e la pezull për 22 vite çështjen e provimit të jurisprudencës, zgjidhja do të gjendet

Zëvendëssekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani, ka reaguar në prag të protestës së paralajmëruar të studentëve lidhur me provimin e jurisprudencës, duke thënë se e drejta për protestë është demokratike dhe legjitime, por duke akuzuar Bashkimi Demokratik për Integrim se për 22 vite nuk e ka zgjidhur këtë çështje.
Në reagimin e tij, Murtezani thekson se funksionarët e BDI-së, të cilët sipas tij “e lanë pa zgjidhje problemin”, sot po tentojnë të qëndrojnë pranë studentëve për ta keqpërdorur protestën politikisht.
Ai deklaron se koalicioni VLEN, edhe pse vetëm dy vite në qeveri, është duke bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje për këtë problematikë të trashëguar.
Murtezani në postimin e tij ka renditur edhe ish-ministrat shqiptarë të Drejtësisë nga radhët e BDI-së, duke i konsideruar përgjegjës për moszgjidhjen e çështjes së Ligjit të Jurisprudencës gjatë dy dekadave të fundit. Në listën e publikuar prej tij përfshihen Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bilen Saliji dhe Krenar Lloga./Zyrtare.net
















