Connect with us

Religjion

Le të jetë Bajrami shtytje për kthim (teube)

Publikuar

Një nga kushtet e domosdoshme për vlefshmërinë e namazit është kthimi drejt Kibles. Muslimani është i orientuar drejt Qabesë çdo ditë. E pikërisht këto ditë, në ditët e haxhillëkut, muslimanët nga të gjithë popujt e botës janë tubuar rreth Qabes.

Qabeja është shtëpia e parë e ngritur mbi Tokë. Atë e ndërtoi Ademi a.s., e rindërtoi Ibrahimi a.s. me Ismailin a.s., ndërsa nga mosbesimi (kufri) dhe idhujt e pastroi Muhamedi a.s. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin.” (El-Maide, 97).

Muajt e shenjtë janë ata muaj në të cilët konflikti është i ndaluar, në mënyrë që të gjitha rrugët drejt Pejgamberit dhe Qabesë të jenë të sigurta. Këta muaj, ashtu siç u sjellin paqe rrugëve fizike e tokësore, do të mund t’ u sillnin njerëzve paqe, harmoni e pajtim, dhe t’ua hapnin atyre rrugën drejt mëshirës së Allahut – rrugën drejt hijes së Ahiretit, atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç saj. „Dy njerëz që duhen për hir të Allahut, do të jenë në atë hije“, thotë Pejgamberi savs.

Këta muaj do të mund t’i rilindnin marrëdhëniet tona, pikërisht ashtu siç ndodhi ajo rilindje në vitin e largët 632, kur Pejgamberi savs në Haxhin Lamtumirës këmbënguli në faljen e gjakmarrjes, në pajtimin e në harmoninë, dhe i udhëzoi pasuesit e tij se arabi nuk ka asnjë epërsi ndaj jo-arabit dhe anasjelltas. Këta muaj do të mund t’i rilindnin marrëdhëniet tona të ndërsjella dhe të na nxirrnin nga sfera e zilisë për të na futur në fushën e dashurisë; nga sfera e mosbesimit, në ambientin e ndihmës së ndërsjellë dhe kështu me radhë. Këta muaj na mësojnë që shpatat e urrejtjes, të cilat i kemi zhveshur kundrejt njëri-tjetrit, t’i kthejmë në këllëfë, e në vend të tyre t’i zhveshim shpatat e vendosmërisë me të cilat do ta mposhtim shejtanin, i cili mbjell përçarje dhe trazira (fitne) mes nesh. Muajt e shenjtë janë rilindje për njerëzit.

Edhe kurbanët janë rilindje. Që kur ekziston njeriu, ekziston edhe kurbani, sepse nevoja për rilindjen e njeriut është e përhershme. Nga flijimet e para njerëzore mësojmë se për çdo vepër më i rëndësishmi është qëllimi (nijeti), dhe se vlera e flijimit lexohet përmes shtimit të devotshmërisë tek ai që flijon. Kurbanët, me përmbajtjen dhe mesazhin e tyre, mund dhe duhet t’i rilindin marrëdhëniet tona në familje. Ato duhet të jenë familje pa grindje.

„Edhe nëse ti ngre dorën tënde kundër meje për të më vrarë, unë nuk do ta ngre dorën time kundër teje për të të vrarë“, tha Habili, dhe me këtë na mësoi që gjithmonë të përpiqemi t’i dhurojmë familjes harmoni dhe rregull. Kurbanët mund t’i rilindin marrëdhëniet tona me farefisin, ndaj të varfërve, por edhe marrëdhëniet tona të përgjithshme në shoqëri.

Vallë, a nuk do të mundte Bajrami i Kurbanit, përmes mesazheve të tij, ta rilindte qëndrimin tonë ndaj vlerave shoqërore dhe ta vendoste arsimimin në vetë majën e prioriteteve tona shoqërore? A nuk do të mundte ai ta rilindte qëndrimin tonë ndaj njeriut dhe ta mbillte në shoqëri kujdesin për të ashtuquajturin njeri të thjeshtë, bujkun dhe punëtorin, si dhe ta ndryshonte qasjen tonë që në vendet e rëndësishme dhe në pozitat e larta shoqërore t’i përzgjedhim të aftët dhe të ndershmit, dhe jo të përshtatshmit dhe të korruptuarit? Kurbanët janë rilindje, dhe ashtu si vetë akti i sakrificës që na afron me Zotin, po ashtu nxënia e mësimeve nga ajo sakrificë, të kuptuarit e mesazheve të saj dhe jetësimi i tyre në shoqëri, na afrojnë drejt suksesit në të dyja botët dhe e udhëheqin shoqërinë në tërësi drejt rilindjes.

Qabeja është rilindje. Që të mos shkelë në shkreti dhe në errësirë, njeriun e ruan namazi. Ai duhet të praktikohet që nga mosha shtatëvjeçare. Njeriu duhet të orientohet drejt Qabesë që të mos e humbasë rrugën, sepse ai që e njeh rrugën drejt qëllimit, nuk bredh shtigjeve të gabuara. Atje, pranë Qabesë, njeriut – Pejgamberit Muhamed savs – i vinte Shpallja (udhëzimi). Atje u shkrua teksti që e rilindi njeriun. Atje u shkruan urdhëresat që njeriut i sjellin lumturi në të dyja botët, por edhe ndalesat e gjithçkaje që e bën atë fatkeq dhe e tërheq drejt shkatërrimit.

Vallë, a nuk do të mundnin ditët e Bajramit të Kurbanit të ishin për disa fillimi i një rilindjeje, e për disa të tjerë një shtytje dhe inkurajim për ta vazhduar ecjen në Rrugën e drejtë dhe për të mos u kthyer prapa në rrugë të gabuara? A nuk do të mundnit që në këto ditë të fillonit ta falni namazin ju që ende nuk e bëni këtë, dhe në këtë mënyrë ta rilindni veten tuaj? A nuk do të mundnit të hiqnit dorë nga mëkatet si zilia, gënjeshtra, lakmia, korrupsioni, alkooli, bixhozi e të ngjashme, dhe kështu ta rilindni shoqërinë?

Fjala Bajram në gjuhën arabe thuhet ‘IJD, e cila rrjedh nga folja ‘ade’ – që do të thotë të kthehesh.

Vallë, a nuk do të mundnin ditët e Bajramit të ishin ditët e kthimit tonë te Burimi, te Kurani, te Suneti, kthim nën flamurin e Pejgamberit savs? A nuk do të mundnin këto të ishin ditët e rilindjes sonë personale dhe të shoqërisë në tërësi?

Do të mundnin, por gjithçka varet nga ne!

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo në rrugën e rilindjes! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përgatiti në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK