Shqipëri
Kush është biznesmeni Orest Sota, personi kyç në dosjen “Agasi”/ Dyshimet e SPAK për milionat e AKSHI-t dhe lidhjet me kullat në Tiranë

Biznesmeni Orest Sota është shfaqur në qendër të hetimeve të SPAK për aferën e shumëpërfolur të AKSHI-t, ku nën hetim ndodhet edhe biznesmeni Ergys Agasi. Sipas gazetarit investigativ Xhevair Zhabina, Sota është pyetur për disa orë nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me urdhër të kreut të SPAK, Altin Dumani dhe prokurorit Bledar Maksuti.
Në emisionin “MCN Live”, Zhabina deklaroi se Orest Sota konsiderohet një person kyç në dosjen “Agasi”, për shkak të marrëdhënieve të biznesit që ka pasur me të dhe lidhjeve financiare që po verifikohen nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas tij, SPAK po heton dyshimet se miliona euro të dala nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), kanë kaluar fillimisht te kompanitë e Ergys Agasit dhe më pas te kompani të lidhura me Orest Sotën.
“Po verifikohen transaksione lidhur me kompanitë e këtyre personave. Nëse provohet që paratë e AKSHI-t kanë kaluar te kompanitë e Agasit dhe më tej te ato të Orest Sotës, atëherë kemi të bëjmë me një skemë të pastër korruptive”, deklaroi Zhabina.
Sipas gazetarit, Orest Sota dhe Ergys Agasi kanë pasur gjithashtu lidhje në fushën sportive, pasi kanë qenë bashkëaksionerë në klubin e futbollit “Dinamo”, edhe pse struktura e aksioneve ka ndryshuar më pas.
Dyshimet për investime në kulla dhe real estate
Hetimet e SPAK janë fokusuar edhe te mënyra se ku kanë përfunduar fondet që dyshohet se janë përfituar përmes tenderëve të AKSHI-t. Sipas Zhabinës, vetëm kompanitë e lidhura me Ergys Agasin dyshohet se kanë përfituar rreth 30 milionë euro nga institucionet shtetërore.
Një pjesë e dyshimeve lidhet me investime në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Në qendër të vëmendjes është kompania “Forever Construction”, në pronësi të Lefter Sotës, babait të Orest Sotës. Kjo kompani po ndërton disa projekte të mëdha në Tiranë, mes tyre një kullë në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku sipas raportimeve është rritur ndjeshëm vëllimi i lejes së ndërtimit dhe numri i kateve ka shkuar në 56.
Po ashtu, kompania ka marrë leje për një tjetër kullë 22-katëshe në zonën e ish-Bllokut, si edhe një projekt tjetër pranë kryqëzimit të Unazës me “Don Boskon”.
“Daniel Shima di gjithë skemën”
Sipas Zhabinës, prova kryesore në hetimin e SPAK është dëshmia e ish-zyrtarit të lartë të AKSHI-t, Daniel Shima, i konsideruar si “numri dy” i institucionit.
Gazetari deklaroi se Shima ka dijeni të plotë mbi mënyrën se si funksiononte skema e tenderëve në AKSHI, përfshirë marrëveshjet mes kompanive për të hyrë në gara dhe për t’u tërhequr më pas pa ankimime.
“Ai di se ku kanë shkuar paratë, si janë shpërndarë fondet dhe kush janë personat që e kanë mbajtur në këmbë skemën. Dëshmia e tij është çelësi i gjithë dosjes”, u shpreh Zhabina.
Sipas tij, AKSHI menaxhon një nga buxhetet më të mëdha në Shqipëri, që i kalon 120 milionë euro në vit, ndërsa hetimet e SPAK synojnë të zbulojnë nëse këto para janë përdorur nga një rrjet i strukturuar biznesi dhe korrupsioni. Marrë nga Report.al
















