Lajme
Konferenca për Ditën Ndërkombëtare të Familjes: Familja mbetet prioritet kryesor

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, u mbajt konferencë e organizuar nga Asociacioni për Afirmimin e Gruas (AAG) në bashkëpunim me Universiteti i Evropës Juglindore.
Në panel morën pjesë zëvendësministrja Kaltrina Zekolli, profesoresha Besa Arifi dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Sabriu.
Në fjalimin e tij, Sabriu theksoi rolin dhe angazhimin e ministrisë në forcimin e pozitës së fëmijëve brenda familjes dhe shoqërisë, duke vënë në fokus disa nga mekanizmat kryesorë institucionalë.
“Garancia Evropiane për Fëmijë, shtesa universale dhe intervenimi i hershëm tek fëmijët, si dhe forcimi i edukimit parashkollor, mbeten shtylla kyçe për një zhvillim të shëndoshë të fëmijëve dhe një të ardhme më të sigurt”, deklaroi Sabriu.
Ai shtoi se gjatë diskutimit u trajtua edhe rëndësia e forcimit të rolit të gruas në familje, duke e cilësuar atë si shtyllë të stabilitetit dhe progresit shoqëror.
“Familja mbetet prioriteti ynë kryesor”, shkroi Sabriu.
















