Connect with us

Lajme

Kirurgu Ekrem Sefiu i arrestuar sot për ryshfet, ishte arrestuar edhe në vitin 2023 për të njëjtën vepër, i kishte marrë pacientit 140 euro në spitalin e Vushtrrisë

Publikuar

Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se janë arrestuar dy mjekë të dyshuar të spitalit në Vushtrri nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Gazeta Online Veriu.info raportoi ekskluzivisht se dy mjekët e arrestuar janë Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi.

Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari Ekrem Sefiu në tri raste, ndërsa i dyshuari Valdet Rexhepi në pesë raste, kanë kërkuar dhe pranuar para nga qytetarët për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Por kjo del të mos jetë hera e parë që kirurgu Ekrem Sefiu arrestohet nën dyshimin e marrjes së ryshfetit.

I njëjti ishte arrestuar edhe më parë, saktësisht në janar të vitit 2023, së bashku me kirurgun tjetër Arsim Latifaj.

Mjeku Ekrem Sefiu së bashku me kolgeun e tij dyshoheshin se kishin marrë ryshfet nga pacientët për të kryer operime në spitalin e Vushtrrisë  “Sheikh Zayed”. 

Ky rast, ishte iniciuar nga gazetari Bujar Vitija në Policinë e Kosovës më 3 tetor të vitit 2022.

Pas arrestimit ndaj Sefiut ishte ngritur aktakuzë.

Sipas aktakuzës Ekrem Sefiu akuzohej se më 27 shtator 2022 në Spitalin “Sheik Zayed” në Vushtrri, në cilësinë e doktorit/kirurg, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe pranuar përfitim material për veten për të vepruar sipas detyrës së tij si kirurg, ashtu që për operim kirurgjik të pacientes E.B., nga djali i saj F.B., ka marrë para në vlerë prej 140 euro kinse për blerje të pajisjeve mjekësore për operim. Kjo thuhet se vërtetohet me video-incizimin e asaj date.

Me këto veprime, sipas aktakuzës Sefiu ngarkohej se kishte kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal./Veriu.info/

NA NDIQ NË FACEBOOK