Connect with us

Lajme

Kasami në Kongresin e VLEN-it: Ka ardhur koha që shqiptarët të mendojnë për kohën që vjen, na duhet Agjenda kombëtare 2036

Publikuar

Bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami, në fjalimin e tij në Kongresin e sotëm, tha se ka ardhur koha që shqiptarët të mendojnë për të ardhmen dhe të kenë vizion të qartë kombëtar për vitet e ardhshme.

Kasami deklaroi se shqiptarëve u duhet Agjenda 2036, e cila nuk do të fokusohet vetëm te mbijetesa politike, por edhe te jeta dhe zhvillimi.

“Besoj se ka ardhur koha që shqiptarët të fillojnë të mendojnë edhe për dekadën që vjen. Për këtë arsye, mendoj se na duhet një vizion i qartë kombëtar për vitet që kemi përpara. Një Agjendë Kombëtare 2036.
Një agjendë që nuk fokusohet te mbijetesa politike, por te jeta dhe zhvillimi”.

“Nëse duam të jemi faktor real në këtë shtet dhe në rajon, atëherë duhet të flasim më seriozisht për arsimin, për inovacionin, ekonominë, kulturën dhe për identitetin.
Duhet të investojmë në dije. Në shkolla më të mira. Në universitete që lidhen me tregun e punës. Në teknologji, në sipërmarrje dhe në mundësi reale për të rinjtë tanë”.

“Duhet të ndërtojmë ekonomi ku të rinjtë nuk largohen sepse nuk shohin perspektivë.
Dhe njëkohësisht duhet ta ruajmë identitetin tonë kulturor si vlerë që ecën bashkë me modernizimin. Ky është vizioni që besoj se duhet ta ketë VLEN”, theksoi Kasami.

NA NDIQ NË FACEBOOK