Lajme
Kallëzim penal ndaj ish-krerëve të Odës së Stomatologjisë, reagon institucioni

Oda e Stomatologjisë së Maqedonisë ka shprehur shqetësim serioz pas informacionit se Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër ish-kryetarit të Odës, si dhe ndaj kryetarit të Komisionit dhe anëtarëve për Çështje Profesionale Stomatologjike.
Sipas kumtesës zyrtare, kallëzimi lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.
Nga Oda theksojnë se fuqimisht dënojnë çdo formë të sjelljes së paligjshme dhe joetike, duke nënvizuar se respektimi i ligjit, integriteti profesional dhe standardet etike janë bazë e funksionimit të profesionit të stomatologjisë.
Menaxhmenti aktual njofton se po bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë. Njëkohësisht, janë ndërmarrë masa për forcimin e kontrolleve të brendshme, rritjen e transparencës dhe avancimin e procedurave për licencim dhe edukim të vazhdueshëm.
Nga Oda theksojnë se rasti nuk përfaqëson punën e mijëra dentistëve që ushtrojnë profesionin me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë, duke shtuar se mbeten të përkushtuar për mbrojtjen e integritetit të profesionit dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.















