Connect with us

Lajme

Forumi i gruas i VLEN-it viziton spitalin Gjinekologjik të Çairit, dhurojnë lule si shenjë falenderimi për infermieret

Publikuar

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve, e cila shënohet çdo vit më 12 maj në mbarë botën, Forumi i Grave i VLEN-it bashkë me këshilltarën e Lëvizjes Arbëria në qytetin e Shkupit, znj. Sanije Duraku, realizoi një vizitë në Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Nënë Tereza” në Çair, për të shprehur mirënjohjen dhe respektin ndaj infermiereve dhe personelit mjekësor për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve.

Kjo vizitë u zhvillua si një akt simbolik nderimi për punën fisnike, përgjegjësinë e madhe dhe përkushtimin e përditshëm që infermieret tregojnë në përkujdesjen ndaj pacientëve, veçanërisht ndaj nënave dhe foshnjeve të sapolindura.

Përfaqësueset e Forumit të Grave të VLEN-it, gjatë kësaj vizite, dhuruan lule si shenjë falënderimi dhe vlerësimi për mundin, sakrificën dhe kujdesin e vazhdueshëm që këto profesioniste të shëndetësisë ofrojnë çdo ditë, shpesh në heshtje, por me një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e pacientëve dhe familjeve të tyre. Nga Forumi i Grave theksuan se kjo ditë është një mundësi për të rikujtuar rëndësinë e profesionit të infermierisë dhe për të vënë në pah kontributin e madh që infermieret japin në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit publik.

Drejtoresha e Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Nënë Tereza”, Dr. Meral Uzeiri Ferati, falënderoi Forumin e Grave të VLEN-it për vizitën dhe vlerësimin e treguar ndaj infermiereve.

“Ky gjest, sado simbolik, ka një domethënie të madhe për infermieret tona, të cilat çdo ditë japin maksimumin e tyre në kujdesin ndaj nënave dhe foshnjeve të sapolindura. Përkushtimi, profesionalizmi dhe humanizmi i tyre janë themeli i punës sonë të përditshme dhe ne jemi krenarë për secilën prej tyre. Vlerësimi dhe mbështetja ndaj këtij profesioni janë motivim shtesë për të vazhduar me të njëjtin përkushtim”, u shpreh ajo.

Në një profesion që kërkon jo vetëm profesionalizëm të lartë, por edhe ndjeshmëri, durim dhe humanizëm, roli i infermiereve mbetet i pazëvendësueshëm në çdo hallkë të sistemit shëndetësor.

NA NDIQ NË FACEBOOK