Lajme
BDI kërkon përgjegjësi nga Astrit Iseni për maltretimin skandaloz te studentëve nga Shqipëria

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas protestës studentore në Shkup, duke akuzuar zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, se ka “maltretuar studentët nga Shqipëria”, me qëllim që t’i pengojë të marrin pjesë në protestë, transmeton Zyrtare.
Në reagimin e saj, BDI thotë se studentët janë “endur rrugëve me shoqërim dhe izolim policor”, duke e cilësuar këtë si një veprim të turpshëm dhe të papranueshëm.
“Vëllezër nga Shqipëria, të dashur studentë, ne ju kërkojmë falje për këtë turp të vazalëve si Astrit Iseni dhe VLEN”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI gjithashtu përshëndeti, siç theksoi, mbarëvajtjen demokratike të protestës studentore dhe u solidarizua plotësisht me kërkesat e studentëve shqiptarë lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe.
Nga partia opozitare theksojnë se zgjidhja e vetme është “ndalimi i diskriminimit dhe zbatimi i Ligjit për Gjuhën Shqipe”.















