Lajme
Azizi: Diskursi i Tiranës ndaj shqiptarëve të Maqedonisë po hyn në fazë romantizimi

Studiuesi Ridvan Azizi përmes një shkrimi ka analizuar ndryshimin e qasjes së sferës publike në Shqipëri ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se diskursi politik dhe mediatik në Tiranë po kalon në një fazë të re perceptimi.
Sipas Azizit, zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut kanë nxjerrë në pah një transformim të mënyrës se si politikanët, analistët dhe gazetarët në Shqipëri i trajtojnë shqiptarët e Maqedonisë. Ai e krahason këtë proces me orientalizmin evropian, duke thënë se ashtu si Evropa kaloi nga armiqësia drejt romantizimit të Lindjes, edhe Tirana po transformon diskursin ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.
Në analizën e tij, Azizi përmend dy emisionet e fundit “Top Story” të gazetares Grida Duma, për të cilat thotë se nuk trajtojnë në thelb çështje politike apo të drejtat studentore, por rikthejnë një tendencë për ta paraqitur shqiptarin e Maqedonisë si figurë “thellësisht kombëtare”, por njëkohësisht “të paemancipuar dhe të ngrirë në kohë”.
“Perceptimi i Tiranës ka evoluar: nga termi pezhorativ i dikurshëm ‘maqedonsa’, tani kemi kaluar te romantizimi patronizues i ‘shqiptarit arkaik’”, shkruan Azizi në analizën e tij./Zyrtare.net/
















