Lajme
Xhaferi: Mbështes protestën e nesërme por studentët nuk reaguan ndër vite për shumë tema të rëndësishme

Aktivisti Arianit Xhaferi ka reaguar lidhur me protestën studentore që pritet të mbahet nesër në Shkup, duke e cilësuar kërkesën për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe si plotësisht të drejtë.
Në një postim publik, Xhaferi thekson se para çdo proteste ngrihen dilema mbi organizimin dhe mbështetjen, por sipas tij problemi kryesor ndër vite ka qenë mungesa e reagimit të organizuar të studentëve, edhe në rastet kur janë cenuar drejtpërdrejt të drejtat e tyre.
Ai kujton se ka qenë i përfshirë në organizimin e shumë protestave dhe kritikon organizatat studentore për mosangazhim në çështje të rëndësishme publike, si ndotja e ajrit, çmimet e energjisë, apo kërkesat për drejtësi në raste tragjike.
Sipas Xhaferit, studentët në vend kanë dështuar të mobilizohen edhe për çështje që i prekin drejtpërdrejt, si autonomia universitare apo problematikat brenda institucioneve arsimore, duke shtuar se kjo mungesë reagimi ka sjellë situatën aktuale.
Ai shpreh shqetësim edhe për përfshirjen e figurave partiake dhe personave të afërt me to në protestën e nesërme, duke vlerësuar se një gjë e tillë mund ta dëmtojë kauzën studentore.
“Studentët duhet ta udhëheqin vetë këtë proces – me dinjitet dhe me mbështetjen e qytetarëve”, thekson Xhaferi, duke u bërë thirrje edhe mediave që të mos u japin hapësirë figurave politike gjatë protestës, në mënyrë që të mos devijohet qëllimi i saj./ZYRTARE.net

















